Po pritet me mjaft kuriozitet ky sezon i ri në Tv Klan, sepse siç është paralajmëruar do të ketë mjaft surpriza në programacion.
I pari që do të nisë të dielave, në fashën orare kur për gjithë këto javë u transmetua “C’est la vie” me Marina Vjollcën, do të jetë konkursi për fëmijë, “Virtuozët” nën drejtimin e sopranos Inva Mula.
Balerina Anbeta Toromani do të jetë në jurinë e këtij spektakli, duke qenë se fëmijët do të konkurrojnë edhe në zhanrin e baletit. Jemi mësuar që Anbetën ta ndjekim në emisionin e njohur italian “Amici” në rolin balerinës profesioniste, ndaj do të jetë dyfish e këndshme të shohim të bëjë të njëjtën gjë në një program shqiptar.
Gjithashtu, të njëjta burime për Blitz.al tregojnë se edhe kompozitori i njohur David Tukiçi do të jetë pjesë e jurisë krah Anbeta Toromanit.
Sigurisht që pjesëmarrja e të tillë emrave në këtë produksion ia rrit kuriozitetin dhe vlerën, çka na bën të presim me padurim të dielën mbrëma për të parë një program shumë ndryshe nga ç’jemi mësuar deri më tani, sepse kryefjalë do të jetë kultura dhe profesionalizmi.