Pak javë më parë Olta Gixhari dha lajmin e ëmbël se së shpejti do të bëhet nënë dhe po në të njëtën ditë aktorja publikoi foton e parë me partnerin. Olta postoi një foto nga pushimet e vitit të kaluar, ku shfaqej në breg të detit duke i dhuruar një puthje djalit shqiptar që jeton në Spanjë.
Ajo ka preferuar të mos e tregojë identitetin e tij dhe sot në një intervistë për gazetaren Klotilda Harka për revistën “Story”, Olta u shpreh se partneri i saj nuk ka aspak dëshirë të bëhet personazh publik.
“Ai nuk do fare të shfaqet. Është njeri shumë diskret, i urren kamerat, videot, fotot, jetën e showbizit. Emocionohet kur del ndonjë lajm për mua, bëhet keq. Nuk ka për të dal ndonjëherë në kamera. Mund t’ju them vetëm që është shumë i bukur, kaq”, u shpreh Olta.
Aktorja tregoi se ata janë njohur për Krishtlindje dhe puthjen e parë e kanë dhënë shumë kohë më pas duke qenë se ajo nuk besonte tek lidhjet në distancë.
“Jemi njohur për krishtlindje. Shumë më vonë dhamë puthjen e parë. Unë ika erdha në Spanjë shumë herë, pastaj ndodhi puthja e parë. Gjërat që nuk beson, ato ndodhin. Unë nuk besoja kurrë tek lidhja në distancë. Nuk e mendoja kurrë një marrëdhënie, bashkëjetesë, martesë me dikë që jeton jashtë. Kjo ishte aryseja pse ika erdha shumë herë derisa e mora seriozisht dhe dhashë puthjen e parë. Njëri nga ne duhet të këmbëngulte, të tregonte besim në këtë marrëdhënie”, tha Olta për revistën “Story”.
Aktorja zbuloi se shumë shpejt ata do ta kurorëzojnë dashurinë në martesë.
“Shumë shpejt do martohemi sa të hapen komunat. Kemi dëshirë të bëjmë një dasmë. Kishim diskutuar të bënim një darkë në Shqipëri por na u prish plani”, u shpreh Olta.