Fatma Methasani, moderatorja dhe gazetarja e dashur e televizionit, e cila me punën e saj të përkushtuar të çdo jave në emisionin më ‘cool’ ‘Fun Day’, na shoqëron me muzikë, emocion, dashuri e thashetheme tepër interesante.
E ëmbël dhe e përkushtuar, Fatma përmes Pyetësorit të Dashurisë, na zbulon një anë të saj që pak e njohim. Ajo rrëfen se dashuria është për guximtarët, është e dashuruar me shumë gjëra të bukura në mënyrën e saj unike dhe tepër delikate.
Ajo rrëfen për revistën Class se nuk e ka gjetur manualin e dashurisë së vërtet, por nëse do i duhej të zgjidhte do të preferonte një lundrim romantik dhe dashuri me shumë lule.
Natyra e saj energjike dhe e qeshur, krijon idenë se Fatma është tip që nuk i pëlqejnë aventurat, por ajo është e dashuruar me detajet, të cilat krijojnë një mjedis dashurie si në përralla duke bërë që ajo të besoj se dashuria e vërtet ekziston edhe në realitet.
1-Dashuria e parë, të kujtohet?
-Pa u menduar fare do te thoja byrekun (qesh), me siguri ka qenë ndonjë këngëtar i famshëm ose aktor!
2-Puthja e parë: zbulim apo zhgënjim?
-Thjesht sigurohuni që mami im mos e lexoj këtë pyetësor(qesh). Një siklet, pa zhgënjim e pa zbulim!
3-Në dashuri ia vlen të ngulësh këmbë?
-Pse jo?! Dashuria është për guximtarët!
4-Të biesh në dashuri: një marramendje e lehtë, apo tre shot-sa rresht?
-Unë që nuk jam fanse e alkoolit, do të preferoja marramendjen!
5-Strategjia e joshjes. Cila është jotja?
-Nëse menduat se do isha guru për çështjet e dashurisë do më duhet t’ju zhgënjej. Nuk kam strategji për joshjen. Besoj në spontanitet!
6-Kategoritë e djemve që nuk të pëlqejnë?
-(Hmm) është listë e gjatë, shumë e gjatë.
7-Çfarë përdor për të joshur: pamjen, pasurinë, trurin, humorin?
-Do të zgjidhja një kombinim sepse për të bërë humor do më duhet të përdor trurin, për të përdorur dy të parat pa dyshim do më duhet të ndihem komode me pamjen. Dmth një bashkëjetesë.
8-Shqisa më e rëndësishme në dashuri?
-Do provoja shqisën e gjashtë!
9-Si ishe veshur në takimin e parë me partnerin tënd?
-Mbaj mend thjesht që kisha pamjen e një njeriu të sapo kthyer nga një udhëtim. Shpresoj të më ketë parë me sytë e dashurisë! (qesh)
10-Të ndërrosh veshjen pesë herë para se të dalësh. Është shenjë dashurie?
-Nëse është shenjë e dashurisë atëherë unë dashurohem çdo herë që dal nga shtëpia!
11-Dashuri me shikim të parë, edhe pse mund të kesh parë gabim? Apo më e menduar?
-Unë besoj shumë në fundet e përrallave dhe në tërheqjen me shikimin të parë.
12-Seksi pasuron dashurinë? Apo e kundërta?
-Këto pyetjet më ka thënë mami mos t’u përgjigjem. Në dashuri nuk dua të jem kaq overthinking!
13-Serial lover-at i shmang apo të joshin?
-Mendoja që ekzistonin vetëm në botën virtuale! Nuk janë stili im!
14-Një, dy apo tri çmenduri për dashurinë?
-Pafund çmenduri për çdo gjë që më bën të lumtur!
15-Më mirë ngjashmëria apo tërheqja e të kundërtave?
-Nëse do të jetoja në një film do preferoja tërheqjen e të kundërtave. Në realitet dua ngjashmërinë.
16-Të shiheni në sy, apo të shihni në të njëjtin drejtim?
-Në të dyja rastet nuk do të ndihesha mirë sepse nuk i kam punët mirë me shikimin përdor lente(haha), do të zgjidhja një të mesme të artë edhe në këtë rast!
17-Sakrifica apo lule dashurie?
-Unë jam njeri shumë paqësor për të kërkuar sakrifica. Preferoj një lundrim të qetë ,pse jo me lule!
18-Nga e kupton që historia është dashuri e vërtetë?
-Ajo puna e fluturave në stomak është bërë shumë cliché kështu që po e evitoj si përgjigje. Nëse dikush e ka manualin e dashurisë së vërtetë do doja të ma tregonte, unë nuk e kam.
19-Një dashuri jotja e madhe e përmbledhur në një: vend, ushqim, muzikë?
-Nuk di çfarë të zgjedh! Jam shumë pro dashurisë. Dashuroj shumë vende, shumë ushqime, shumë këngë.
20-Dashuron shumë? Apo mesatarisht?
-Dashuroj çdo ditë, shumë gjëra dhe shumë vërtet! Njerëzit që dhurojnë dashuri janë gjithmonë njerëz të mirë!