Pak momente më parë nisi edicioni i 21-të i Festivalit “Kënga Magjike”. Ardit Gjebrea dhe Adrola Dushi e nisën mbrëmjen në sallën e artistëve, për të përcjellë mesazhin e bashkimit dhe dritës në javën pas tërmetit shkatërrimtar që goditi qendrën e Shqipërisë.
Sigurisht, siç e kërkon tradita, i pari performoi fituesi i vjetshëm, Flori Mumajesi. “Plas” ia plasi në mes të audiencës. Mumajesi luante me kamerën dhe shfaqej papritur në vende të ndryshme të sallës.
Performanca e parë e këtij viti i takoi Olsi Bylykut. Kënga e tij, “Ma kthe,” hapi garën e 2019-s dhe sipas nesh, s’mund të kishin bërë zgjedhje më të mirë.
Pasi qëndroi dy ditë në Thumanë, producenti Gjebrea u bind që të mos i shtynte netët e festivalit, por fitimet e biletave t’i përdorte për t’i rindërtuar shtëpinë familjes Caci. Motoja e këtij edicioni u bë me shpejtësi, “Këndo për të ndërtuar.”
Me këtë mision në mendje, kënga e Bylykut ngjan si e shkruar posaçërisht për një moment të vështirë si ky jo vetëm për të prekurit e tërmetit, por për të gjithë, që tani kanë një tjetër perspektivë për jetën.
Ndër të tjera, në tekst, Bylyku thotë:
“Ndale kohën për një çast reflekto / Kemi veç një jetë, k’shu që ngrihu dhe jeto.”
“Zot, unë e di sa herë jeta më sjell furtunë përballë / Ndjej që duhet të vrapoj më shpejt / Edhe më shpejt / Edhe më shpejt / Unë e di që gjithmonë pas shiut del diell / E pas errësirës ka dritë / E pas vdekjes / Ka jetë.”
Bylyku shoqërohej nga një kor që mbushi gjithë skenën për të kënduar refrenin, njësoj frymëzues sa pjesa tjetër e tekstit.