Të gjithë kemi diçka që e ruajmë me fanatizëm edhe pas një kohe të gjatë. Zakonisht, janë pikërisht këto gjëra që lidhen me kujtimet, dhurata që na kanë dedikuar ose që ia kemi bërë vetes. Por, ju ka ndodhur të mbani për 16 vite të njejtin kujtim me vete? Marsela Çibukaj vazhdon ta mbajë me përpikmëri të njejtën gjë në kuletën e saj, për më shumë se një dekadë.
Përpos stilit të veçantë në muzikë, duket se Marsela veçohet edhe nga detaje të tjera të kësaj natyre. Kujtimi më i bukur për të lidhet me objektin më të dashur që disponon si këngëtare, pikërisht mikrofonin. Në një rrëfim për ‘Talk Talk’, Çibukaj ka zbuluar diçka që nuk e kishim dëgjuar më parë për të. “Kjo është një biletë urimesh që më ka ardhur me mikrofonin e parë që më është dhuruar në jetë. Ka qenë nga një person shumë i veçantë në zemrën time, një person që e kam dashur shumë dhe më ka uruar që me këtë mikrofon të ishte fillimi i një karriere të gjatë…”, ka thënë ndër të tjera, Marsela.
Ndoshta nuk ju besohet, por pikërisht i njejti mikrofon e shoqëron Çibukaj edhe sot në skenë. Bashkangjitur me mikrofonin si dhuratë, Marselës i ka ardhur edhe një pusullë para 16 vitesh; pusullë që nuk e ndan dhe nuk do ta ndajë kurrë nga çanta. Një gjest sa nostalgjik, aq dhe i ëmbël!