Dikur Konaku ka qenë një ndërtesë e fjetur e administratës turke, por destinacioni i tij ndryshoi kur në Durrës mbërriti Princi gjerman Vilhelm Vid, mbreti që Europa i caktoi shtetit të sapokrijuar shqiptar.
“Erdhi pikërisht nga Trieste, i shoqëruar jo vetëm me anije austrohungareze, por edhe italiane e britanike”, tha Ledia Dushku.
“U prit me shumë entuziazëm, duke shpresuar në një mrekulli. Sidomos pjesa e paarsimuar e vendit, e cila ishte shumicë, me idenë se me ardhjen e princit të krishterë neve do të na ndryshonte jeta brenda një dite. Gjë që sigurisht nuk mund të ndodhte”, tha Marenglen Kasmi.
Pallati mbretëror, pallati i Princ Vidit, apo Konaku i Durrësit ka pothuajse një shekull që nuk është më. Ai u shkatërrua si pasojë e Luftës së Parë Botërore dhe më pas u la në harresë.
Gërmimet e nisura këtu më herët zbuluan themelet e kësaj ndërtese me shumë histori të Shqipërisë.
“Exclusive” ndërton për herë të parë historinë e këtij pallati intrigash dhe pushteti buzë Adriatikut, në të gjitha aspektet.
TCH: Mendoni se ka diçka që mund të bëhet sot për të rikthyer kujtimin e këtij pallati, Konakut, kësaj ngrehine?
“Personalisht nuk shikoj asnjë problem apo vështirësi. Më duket thjesht vështirësi vendimmarrjeje, sesa vështirësi reale e dhënies së një zgjidhjeje të përshtatshme për një gjë të tillë”, thotë Eduard Shehi.
2 tetori i vitit 1918 praktikisht ka shënuar fundin e jetës së Konakut. Ai mbetej si vendi simbol, ku shpalosej flamuri i fitimtarit që kontrollonte qytetin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti i ngritjes së flamurit italian, në një ngrehinë të shkrumbuar dhe braktisur.
Pavarësisht simbolikës së trashëguar të Konakut, tashmë ai kishte dalë përfundimisht nga skena e historisë së qytetit dhe të Shqipërisë.