Tekste mësimore për shqiptarët e diasporës – AlpeGossip
Tekste mësimore për shqiptarët e diasporës

Tekste mësimore për shqiptarët e diasporës

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka shpërndarë 3800 tekste mësimore të gjuhës shqipe për t’u ardhur në ndihmë komunitetit shqiptar dhe mësuesve të diasporës.

Vetë ministri Ditmir Bushati, i cili ndodhet në SHBA në kuadër të punimeve vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me një grup mësuesish, nxënësish dhe prindërish të shtetit të Nju Jorkut, Nju Xhersit, dhe Konektikatit.

Në fjalën e tij Bushati tha se mbështetja e qeverisë do të vijojë pasi shihet si një detyrim për të ndihmuar të gjithë ata bashkatdhetarë “të cilët punojnë për të ruajtur gjuhën dhe identitetin shqiptar”. Në këtë drejtim po punohet për digjitalizimin e teksteve shkollore me qëllim që shpërndarja dhe qasja në to të jetë i menjëhershëm në çdo cep të botës.

Ai falënderoi veçanërisht mësuesit e diasporës, që në kushte shpesh të vështira, por me një vullnet dhe atdhedashuri shembullore, vazhdojnë punën e tyre për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Gjatë takimit, Qemal Zyla, i cili drejton tre shkolla shqipe prej 10 vitesh e quan një ndihmë të madhe tekstet mësimore, duke zgjidhur kështu një problem akut, siç është ai i mungesës së teksteve shqipe.