U PUSHKATUAN 22 INTELEKTUALË/ Përkujtohet sot në Mënik të Pezës masakra e 26 shkurtit 1951 - AlpeGossip
U PUSHKATUAN 22 INTELEKTUALË/ Përkujtohet sot në  Mënik të Pezës masakra e 26 shkurtit 1951

U PUSHKATUAN 22 INTELEKTUALË/ Përkujtohet sot në Mënik të Pezës masakra e 26 shkurtit 1951

Ceremoniali nga Autoriteti i Dosjeve dhe Bashkia e Tiranës do të mbahet në vendin ku ka ndodhur masakra, ku 22 intelektualë u pushkatuan pa gjyq nga regjimi komunist pranë Urës së Beshirit.

Gjashtëdhjetë e tetë vjet më parë, pasdreken e datës 19 shkurt 1951, u hodh një sasi e vogël dinamiti në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike. Ky akt misterioz u kthye në alarm në Ministrinë e Brendshme dhe në qarqet e larta politike të Tiranës dhe shqetësim në Ambasadën Sovjetike të Tiranës dhe në Ministrinë e Jashtme të BS-së. Pleniumi i KQ të PPSH i ndërpreu përkohësisht punimet, sepse u mblodh urgjentisht Byroja Politike e KQ të PPSH, që mori në shqyrtim incidentin e rëndë në Ambasadën Sovjetike. Ministri i Brendshëm kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, disa qindra persona, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit përpiluan listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 vetave (nga datat 19-26 shkurt 1951).

Autoriteti i Dosjeve (AIDSSH) dhe Bashkia Tiranë do të organizojnë sot Ceremonialin Protokollar në përkujtim të kësaj masakre nga më të tmerrshmet e regjimit komunist; ku 22 intelektualë u pushkatuan pa gjyq rreth orës 10.30, në Mënik të Pezës, e mes tyre dhe një grua që u varros e plagosur dhe e gjallë, shkencëtarja më e madhe e kohës Sabiha Kasimati. Autoriteti i dosjeve ka bërë ftesën që ditën e sotme qytetarët “t’i bashkohen këtij pelegrinazhi të dhimbjes, kujtesës e reflektimit për të shkuarën!” Ceremoniali Protokollar do nis me ligjëratën e kryetares së AIDSSH, Gentiana Sula,e më pas do të mbajnë fjalën e tyre Andi Seferi, Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, e më pas përfaqësues të familjarëve të të ekzekutuarve. Pas përkujtimit të martirëve në vendekzekutim, nderimi do të vijojë në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, ku prehen trupat e tyre.

Nga sot rruga “26 Shkurti” që të çon në vendekzekutimin e martirëve

Ndërkohë që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me institucione publike, qytetarë, familjarë të martirëve të 26 shkurtit, të rinj dhe grupe të interesit kanë organizuar disa aktivitete përkujtimore përgjatë javës 20-26 shkurt 2019 për të përkujtuar tragjedinë,sot më 26 shkurt, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, Autoriteti dhe familjarët e viktimave do të finalizojnë një angazhim të përbashkët, të nisur muaj më parë, për emërtimin “26 shkurti” të rrugës që të çon në vend ekzekutimin e të martirizuarve. “Një pelegrinazh i dhimbjes e shpresës për zbardhjen e të vërtetave të mbuluara nga harresa nis në vendin e ekzekutimit dhe përfundon në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, ku prehen sot të pushkatuarit pa gjyq të 1951. Ceremonia zhvillohet në fshatin Mënik të Pezës, pranë Urës së Beshirit, me pjesëmarrjen e familjarëve të shumtë, shoqatave të të drejtave të njeriut, të përndjekurve politikë dhe të rinjve të zonës. Pas përkujtimit të tragjedisë së 26 shkurtit, qytetarët drejtohen në varrezat “Dëshmorët e Kombit”, për të nderuar intelektualët që edhe atje prehen në një varr masiv.”, njofton AIDSSH. Gjithashtu Autoriteti njofton se ka ndërmarrë nisma ligjore dhe hapa konkrete për kthimin e vendvarrimit të Mënikut në vend kujtese, të njohur dhe të vizitueshëm për qytetarët e të rinjtë. Sipas dëshmive, zona në fjalë është vendvarrim i zgjeruar i shumë të pushkatuarve pa gjyq për vite me radhë nga sistemi komunist. “Me vlerësimin e një date si 26 shkurti dhe sjelljen në vëmendje të një vendi si Mëniku, duke hedhur dritë në të shkuarën, duke vlerësuar sakrificën dhe dinjitetin njerëzor të njerëzve të thjeshtë, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë kryen detyrën e vet qytetare dhe risjell në vëmendje çështjen e vendvarrimeve të humbura; impaktin social, individual e shoqëror të së drejtës themelore të njeriut për të jetuar denjësisht dhe prehur njerëzisht, përtej kohës, politikës apo ideologjive kalimtare.”, shruhet në njoftimin e AIDSSH-së

“Terrori 1951”, një dokumentar në teatrin “Metropol”

Për të përkujtuar 26 Shkurt-in,në teatrin “Metropol” të kryeqytetit, për qindra të rinj do të transmetohet dokumentari “Terrori 1951” i gazetarit Ferdinand Dervishi, që na njeh me masakrën e 68 vjetëve më parë. Filmi është punuar me materiale arkivore dhe dëshmi mbi ngjarjen, të atyre që e jetuan apo u ndëshkuan me pretekstin e bombës në legatën sovjetike.

Dokumentari hedh dritë në profilin e secilit prej këtyre martirëve, që u përzgjedhin nga regjimi, u arrestuan me ngut dhe u dënuan me vdekje. Secili prej tyre ka pasur të një histori të pasur individuale dhe familjare, në fusha të ndryshme dhe përfaqësonte më së miri shtresën intelektuale e properëndimore të Shqipërisë së asaj kohe.

Pas verifikimit te verifikimit dokumenteve mësohet se të arrestuarit u pushkatuan pas pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti me gjashtë nene, për “veprimtaritë terroriste” që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë nuk mori pjesë në këtë farsë.

Pas ekzekutimit të viktimave që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan me mangësi. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, u mor vesh se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kish dhënë vendim për dënimin me vdekje të 22 të vdekurve.