Ata janë e kaluara jonë, ndihmojnë familjen në rritjen e nipërve, përfaqësojnë një pasuri përvojash, njohjesh, vlera për t’u transmetuar brezave të ardhshëm, shpesh herë ata arrijnë të kenë më shumë konfidenca me nipërit se sa vetë prindërit, sigurisht i llastojnë më shumë.
Gjellët e gjyshes, petullat dhe gjithçka ato gatuanin mbeten në kujtesë dhe bëhen Adn jonë, njësoj si kujtimet e të shkuarës së tyre. Një arkiv i çmuar dhe shumë i rëndësishëm për formimin tonë.
2 tetori i çdo viti është dita e tyre, por në fakt ne për ta duhet të festojmë çdo ditë. Gjyshërve u është kushtuar një ditë e veçantë që prej 2005, sepse ata në të vërtetë janë ‘Engjëj mbrojtës’.
Rëndësia e tyre është zbuluar edhe në nivel shkencor. Kërkuesit e Concord University dhe të Wilfrid Laurier University, teksa ekzaminonin lidhjet e disa gjyshërve, nipërve dhe mbesave, kanë treguar që duke kaluar më shumë kohë të lirë së bashku forconin lidhjet familjare, të cilat mbeten të forta për të gjithë jetën.
Nëse keni një gjysh apo gjyshe, mos nguroni t’i dhuroni një tufë lule, t’i bëni një dhuratë të vogël ose dhe thjesht një vizitë. Do t’u bëhej qejfi dhe ata kanë nevojë që ne t’i kujtojmë herë pas here. Fëmijët janë e ardhmja, të moshuarit kujtesa. Janë kujdesur për ne, na kanë dashur dhe madje na kanë toleruar më shumë se prindërit tanë. Edhe ne i kemi adhuruar kur kemi qenë fëmijë. Jeta e tyre është plot histori unike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.