VJEN NË SHQIPËRI BLOGERI MË INTERESANT I MOMENTIT/ Nas Daily: Ju tregoj motivin… – AlpeGossip
VJEN NË SHQIPËRI BLOGERI MË INTERESANT I MOMENTIT/ Nas Daily: Ju tregoj motivin…

VJEN NË SHQIPËRI BLOGERI MË INTERESANT I MOMENTIT/ Nas Daily: Ju tregoj motivin…

Nas Daily është një bloger arabo-izraelit që filmon video 1 minutëshe dhe i poston ato në faqen  e tij në rrjetin social “Facebook”, e cila ndiqet nga më shumë se 9 milionë njerëz.

Së fundmi, ai ka vendosur që videon e tij të 921-tën ta realizojë në Shqipëri.

Por kush është në të vërtetë Nas Daily?

Emri i tij i vërtetë është Nusei Yassin. Blogeri u rrit në qytetin Arraba të Izraelit dhe më vonë aplikoi në Harvard për inxhinieri të hapësirës ajrore, ku u pranua me bursë për shkak të esesë së aplikimit. Në këtë të fundit, Yasin tregonte betejat e tij për të ndjekur ëndrrat si një arab i lindur në Izrael. Në 2014-n u diplomua për ekonomi dhe studioi gjithashtu shkenca kompjuterike. Në po të njëjtin vit, ai u punësua si zhvillues i softuerit për “Venmo”, një shërbim për pagesat nga telefoni në pronësi të PayPal, me një pagë prej 120,000 dollarë.

Pasi kurseu gati 60.000 mijë dollarë, Nusei Yassin la punën dhe nisi të udhëtonte rreth botës. Kështu ai krijoi një profil në Facebook, ku ka dhënë fjalën të postojë çdo ditë nga një video për 1,000 ditë.

“Puna ime paguhej mirë, por s’më pëlqente”, tha ai në një intervistë për Business Insider.

Yassin është shprehur se zgjodhi t’i bënte videot vetëm 1 minutë pasi ai i poston ato në Facebook jo në YouTube; njerëzit janë të zënë dhe “miqtë” e tij nuk kanë kohë të shkojnë në YouTube.

Mesatarisht, çdo video i merr rreth gjashtë orë për t’u xhiruar dhe tre orë për t’u edituar. Ai i përfundon ato me fjalinë “Kjo ishte videoja 1 minutëshe, shihemi nesër.”

“Ka kaq shumë gjëra rreth botës që duhen zbuluar. Shkoj në vende ku një pjesë e mirë e blogerëve të tjerë nuk shkojnë,” është shprehur Nas, i cili së fundmi ka vendosur të vizitojë Shqipërinë.

“Shqipëri e dashur! Jam unë, Nas! Dua t’ju njoftoj se kam ardhur t’ju vizitoj nesër dhe dua të takohem me ju. Do të bëj një video për gjërat e bukura në Shqipëri dhe vendet fqinje dhe më duhet ndihma juaj. Shpresoj t’ju takoj personalisht. Shihemi të mërkurën në orës 16 pasdite tek Universiteti Politeknik i Tiranës”, shkroi ai në Facebook mbi videon që do të realizojë për Shqipërinë.

“Nuk e bëj për para, por jam i lumtur që paguhem shumë mirë duke bërë punën e ëndrrave”, është shprehur ai.