Në fillimet e shekullit XXI, videot muzikore ishin në epokën e tyre të bumit: nisi të venitej përdorimi i CD-ve, njerëzit nuk fluturonin më për tek dyqanet me disqe muzikore, YouTube nisi të kishte përhapje masive ndaj edhe artistët kthyen sytë tek realizimi i videoklipeve, si një përbërës shtesë dhe i rëndësishëm i projekteve muzikore.
Billboard ka bërë një përmbledhje me 100 videoklipet më të mira të shekullit XXI dhe për çudinë e të gjithëve (ose jo dhe aq) është përfshirë edhe Dua Lipa me këngën “New Rules”, e vetmja shqiptare në klasifikim. Përkatësisht Dua zë vendin e 74 nga 100 gjithsej, që duhet thënë është goxha arritje, pasi ka lënë pas këngë si: Madonna – “Hung Up”, Miley Cyrus – “We Can’t Stop”, Alicia Keys – “You Don’t Know My Name”, Frank Ocean – “Pyramids”, Shakira – “Whenever, Whenever” etj.
“New Rules”, filmuar në një shtëpi me ngjyra pastel ku shumë vajza përkrahin njëra-tjetrën, për t’u zhvendosur më pas në një pishinë me flamingo dhe ngjyra pafund, ishte kënga që i hapi Duas rrugët e suksesit në tregun botëror. Ajo u vlerësua me çmimin “BBC Radio 1 Teen Awards” dhe gjithashtu i dha kartonin jeshil 22-vjeçares për t’u bërë pjesë e nominimeve të “Brits Awards 2018”, ku rrëmbeu çmime të rëndësishme si “Këngëtarja britanike më në zë e momentit” dhe “Artisja më e mirë femër”.
Top 10
10. Childish Gambino – “This Is America”
9. Fatboy Slim – “Weapon of Choice”
8. Beyoncé – “Single Ladies (Put a Ring on It)”
7. Britney Spears – “Toxic”
6. Rihanna & Calvin Harris – “We Found Love”
5. OutKast – “Hey Ya!”
4. Beyoncé – “Formation”
3. D’Angelo – “Untitled (How Does It Feel?)”
2. Missy Elliott – “Work It”
1. Lady Gaga – “Bad Romance”