Pas publikimit në janar të vitit 2017, “Despacito” ishte kënga më e pëlqyer e momentit; të gjithë u çmendëm duke e kërcyer dhe kënduar kudo. Por fill pasi kënga arriti shifrën 5 miliardë shikime në YouTube, duke u bërë kënga më e dëgjuar në historinë e YouTube-it, ajo është fshirë nga kanali i Vevo.
Sipas raportimit të BBC-së, imazhi i këngës u mbulua nga fotoja e disa personave me maska që mbajnë armë në dorë. Hacker-ët e videos, të njohur me emrin “Prosox and Kuroi’sh” shkruan “Free Palestine” poshtë videos dhe e bënë të pamundur dëgjimin e saj.
Kur përdoruesit klikonin videon origjinale, ajo rezultonte e fshirë.
Përveç hitit të Luis Fonsi-t, edhe këngë të këngëtarëve të tjerë u prekën nga ky sulm kibernetik – Shakira, Selena Gomez, Drake, Taylor Swift.
Eksperti i sigurisë së YouTube-it, Prof.Alan Woodward, tha se është gati e pamundur që dikush të arrinte një kalim aq të lehtë të sigurisë.
“Ata mund të kenë marrë të dhëna në mënyra të tjera”, sqaroi ai.
Pas disa orësh, gjithçka i është kthyer normalitetit dhe ne mund të vazhdojmë ta ridëgjojmë edhe njëherë këngën që e dimë përmendësh.