”NUK PO GJEJA VETEN NË ROLIN E…”/ Einxhel Shkira largohet nga ”E Diell” – AlpeGossip
”NUK PO GJEJA VETEN NË ROLIN E…”/ Einxhel Shkira largohet nga ”E Diell”

”NUK PO GJEJA VETEN NË ROLIN E…”/ Einxhel Shkira largohet nga ”E Diell”

Sezoni i ri i “E diell” e gjeti Einxhel Shkirën moderatore të rubrikës “Beauty”, ku garojnë 8 parukierë dhe 8 artistë grimi, ndërkohë që në sezonin e kaluar ajo drejtonte një rubrikë me sfida të ndryshme, me në qendër personazhe të njohur. Megjithatë puntatën e fundit të “E diell”, Shkira nuk ishte e pranishme në program, gjë që ngriti dyshime për një largim të saj.

E kontaktuar nga Anabel.al, Einxhel u shpreh se është larguar nga “E diell”, për shkak se “nuk e ka gjetur plotësisht veten në rubrikën Beauty”.

“Të jem e sinqertë, që javën e parë të transmetimit të sezonit të ri të ‘E diell’ nuk po e gjeja veten në rolin që më ishte caktuar si prezantuese e rubrikës ‘Beauty’. Unë besoj që secila prej nesh në atë program, është zgjedhur të jetë aty për diçka autentike që ajo ofron dhe në këtë sezon, për shkak të një ndryshimi strukture dhe koncepti të ri autorial, po ndjeja se po humbja atë çfarë unë mendoj që më karakterizon dhe më dallon: spontanitetin dhe natyralitetin. Me gjithë respektin më të madh që kam për kolege të miat, të cilat ndihen shumë mirë në formate të strukturuara, ku roli i prezantueses është më shumë ai i një përcjellësi të informacionit, unë si natyrë nuk kam lidhje me këtë lloj skeme. Më pëlqen të përfshihem në atë që prezantoj dhe nëse nuk ndihem vetvetja e kam të vështirë ta vazhdoj. Më vjen keq që këtë vendim e mora një javë pasi kishte filluar programi, por mesa kam parë, jam e qetë që mungesa ime nuk ka shkaktuar ndonjë dëm të madh (qesh). Por gjithsesi, do të doja të theksoja që shkëputja ime është e lidhur vetëm me synimet e mia personale profesionale. Unë ruaj respektin më të madh për producentin e ‘E diell’,  Edi Manushi, i cili besoi tek unë dhe më bëri pjesë të kësaj aventure shumë të bukur, pa harruar edhe stafin më të cilin kam bashkëpunuar.”

E pyetur në lidhje me planet e asaj të ardhshme në televizion, moderatorja theksoi se për momentin po merr pak kohë për të shqyrtuar gjërat.

“E çuditshme sa shpejt përhapet lajmi. Unë kam patur oferta ende pa finalizuar largimin tim nga ‘E diell’, por për momentin, po marr pak pushim dhe po i shqyrtoj gjërat ashtu siç nuk më karakterizon, me qetësi (qesh).”

 

*Marrë nga AnabelMagazine