Falë fotos së Bes Kallakut, kuptuam se ceremonia dhe darka e mëvonshme e dasmës së Sara Hoxhës dhe Ledion Liços u mbajt në Villa Erba, një mrekulli arkitekturore. E ndodhur në fshatin Cernobbio, vila ka mikpritur disa prej eventeve më eksluzive në botë. Filmi “Oceans 12” është xhiruar aty dhe si rrjedhim është e njohur nga shumë yje të Hollywood-it. Afresket e lashtë, tavanët e dekoruar dhe dizajni luksoz e bëjnë vendin më mbresëlënës për t’u martuar. Kështu thuhet në The Lake Como Wedding Planner. Sipas një tjetër agjencie, Toutenrouge Event Agency, marrja me qira e kësaj vile vetëm për disa orë (18:00 – 01:00) për një dasmë kushton €12,000.
Thuhet se Sara veshi të paktën katër fustane, të cilët besohen të jenë të markës Zuhair Murad. Sidoqoftë, nëse të gjithë fustanet kanë qenë designer, çmimi për copë arrin vlerën €20,000 mesatarisht.
Grimieri dhe stilisti i flokëve, të dy me emra të njohur ndërkombëtarisht, janë paguar për qëndrimin, punën, famën, ushqimin, etj, etj. Artistët më të mirë të grimit dhe të flokëve kërkojnë rreth €2,500 në ditë. Në dasma, tarifat rriten edhe më. Dikur, Ariel Tejada tha për Anabel se një grim i thjeshtë nga dora e tij kushton €1,000. Me një përllogaritje të thjeshtë, për të tre ditët, grimieri dhe stilistja e flokëve duhet të kenë kushtuar €50,000.
Nuk gjetëm askund në internet shifra të përafërta mbi koston e një vakti për person në Villa Erba. Duke marrë parasysh vlerat e vilave përbri, që janë të të njëjtit nivel luksi, darka për një person mund të kushtojë rreth €250. Përafërsisht, për gjithë të ftuarit, një darkë kushton rreth €60,000 ± disa mijëra euro.
Shumica e të ftuarve kanë paguar vetë udhëtimin dhe qëndrimin në pranësi të vilës. Ndërsa familja e çiftit ka qëndruar pranë venue-s, pasi sipas kërkimeve, Villa Erba nuk ofron suita apo dhoma hoteli. Sidoqoftë, hotelet e zonës kanë çmime me pesë shifra për çfarëdolloj dhome.
Arredimi i sallës së dasmës me lule dhe ndriçim të posaçëm gjithashtu ka kushtuar shumë e në të njëjtën kohë pak në krahasim me gjërat e tjera. Nëse çifti ka marrë arredues të jashtëm, dekori kap vlerën e €8,000.
Këngëtarët, nëse s’janë ofruar të këndojnë pa pagesë, janë ndër më të shtrenjtët në treg. Mesatarisht, tarifat e tyre rrotullohen rreth €3,000 për natë. Me optimizëm, themi se performanca e tyre mund të ketë kushtuar rreth €10,000.
Së fundi, kameramanët dhe fotografët që do të dokumentojnë eventin e paharrueshëm. Një natë xhirim kushton diku €2,000, ndërsa fotografi profesionist kërkon rreth €500 dita.
Nuk po i mbledhim gjithë vlerat e përmendura sepse janë të gjitha afërmendësime dhe s’kemi si ta dime me siguri sa ka kushtuar diçka apo diçka tjetër. Sidoqoftë, në vështrim të përgjithshëm, dasma e Sarës dhe Ledionit duket si ndër më të shtrenjtat. Duke marrë parasysh se shumica e të ftuarve janë njerëz të fuqishëm të biznesit e të sferës publike, dhurimet e tyre për të uruar çiftin për jetën e re, do të luajnë një rol domethënës në mbulimin e shpenzimeve.
Fundja, dasmat për qejf bëhen dhe s’mund të bësh qejf nëse je në merak për lekët gjithë kohës. I urojmë çiftit jetë të lumtur.