ADHURUESE E MUZIKËS KLASIKE/ Aiola Laska flet për rrugëtimin në muzikë: Ditë e re, mundësi të reja – AlpeGossip
ADHURUESE E MUZIKËS KLASIKE/ Aiola Laska flet për rrugëtimin në muzikë: Ditë e re, mundësi të reja

ADHURUESE E MUZIKËS KLASIKE/ Aiola Laska flet për rrugëtimin në muzikë: Ditë e re, mundësi të reja

Së fundmi muzika komerciale na ka pushtuar çdo gjë duke filluar nga televizori, telefoni, baret, clubet, madje komplet jetën, sepse e dëgjojmë gjatë gjithë kohës me apo pa vetëdije.

Po të përmendim muzikën klasike, vetëm një pjesë e njerëzve që vërtet e shijojnë këtë art për vlerat dhe mesazhin që përcjell, do të ishin të interesuar në bisedë, pasi realisht pjesa tjetër tërhiqet nga basi, biti dhe ritmi.

Aiola Laska, edhe pse në moshë të re, është një adhuruese dhe lëvruese e muzikës klasike dhe asaj ‘electro’, violiniste dhe shumë e talentuar madje. Me një background të pasur muzikor, vajza nga qyteti i serenatave ka folur për rrugëtimin e saj në muzikë dhe imazhin që ajo paraqet për publikun.

 

Aiola, mund të themi se dashuria juaj është violina. Nga lindi pasioni për të luajtur në këtë instrument?

Mund të them që jam rritur me muzikën në një familje ku mamaja ime është mezo soprano dhe më ka aktivizuar që në moshën 4-vjeçare në shfaqjet e operas dhe nga një baba që, pavarësisht se është fizikan, është adhurues i muzikës së mirë. Pasioni im për violinën ka lindur që në momentin e parë që unë kam dëgjuar tingullin e saj. Pavarësisht se në moshë të vogël, e ndieja që kjo ishte rruga ime.

Zhanret të cilat lëvroni përfshijnë muzikën klasike dhe atë elektrike. Në dukje një kombinim deri diku abstrakt, çfarë i lidh këto dy rryma te ju?

Në fakt për mua nuk është aspak abstrakte pasi, edhe pse muzika moderne shfaqet ndryshe, ajo i ka rrënjët në muzikën klasike. Duke qenë se kam luajtur prej 17 vitesh muzikë klasike, ndërthurja me muzikën moderne ka sjellë një tjetër lloj emocioni dhe një energji komplet ndryshe.

Përveçse instrumentiste, ju jeni edhe këngëtare, dikur fituese e kompeticionit ‘Tu si que vales’. A ju ka ndihmuar talenti në instrument për të ecur para dhe për të plotësuar veten si artiste?

Përfshirja në një kompeticion të tillë për mua ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë sidomos të ndihesh fituese mes shumë konkurrentëve të tjerë të talentuar në fushat e tyre.

Jeni pjesë e një grupi që mban emrin ‘Stringirls’. Çfarë kuptimi ka ky emër?

Ky grup është krijuar në vitin 2010 nga unë dhe tre shoqet e mia të ngushta me një mendim dhe qëllim të përbashkët. Duke u frymëzuar nga grupe të huaja, donim të sillnim të njëjtën frymë në Shqipëri. Jo thjesht një kuartet i fokusuar te muzika klasike, por katër vajza që luajnë lloje të ndryshme zhanresh muzikore me instrumente klasike dhe elektrike, duke u ndërthurur dhe me koreografi kërcimi për të realizuar një performancë të plotë. Emri ‘Stringirls’ do të thotë vajzat e harqeve.

Si janë raportet tuaja me pjesëtaret e grupit? Po me kolegë të tjerë artistë, mund të veçoni ndonjë si më të ngushtë?

Siç e përmenda më lart, ne jemi shoqe të ngushta që në klasën e parë dhe e konsiderojmë njëra-tjetrën më shumë se thjesht kolege. Marrëdhëniet e mia me të gjithë artistët e tjerë me të cilët kam punuar, janë shumë të mira.

A mendoni se në tregun muzikor shqiptar mund t’ia dilni të bëni një karrierë të fuqishme si grup, apo të kënduarit solo ka më shumë avantazhe?

Në tregun me të cilin po përballemi, është shumë më e thjeshtë për të patur një karrierë solistike në këndim, ndërsa për një karrierë solistike në violinë është e vështirë, sepse publiku shqiptar nuk është mësuar me muzikën instrumentale. Sa për grupin, na kanë pritur shumë mirë, na kane vlerësuar për stilin e veçantë që ne po sjellim, duke bërë që emri ynë të rritet dita-ditës.

Së fundmi keni lançuar këngën tuaj të re. Cilat janë pritshmëritë nga ky projekt?

Të them të vërtetën, nuk kisha pritshmëri shumë të larta, pasi është projekti im i parë si këngëtare dhe më shumë e quajta si një fazë eksperimentale.

Si një këngëtare e re, çfarë mendoni se duhet të bëni ndryshe për muzikën shqiptare?

Mendoj se tregut shqiptar i mungojnë idetë e reja dhe për këtë arsye po punojë që, projektet që do të nxjerrë në vazhdim të tregojnë identitetin tim.

Postimet tuaja në rrjetin social ‘Instagram’ flasin për një vajzë që i pëlqen të eksperimentojë me ngjyrat e flokëve dhe tattoo. Çfarë kuptimesh kanë këto tattoo në trupin tuaj dhe sa të tilla keni gjithsej?
Mund të them që flokët me shumë ngjyra dhe tattoot janë pasioni im tjetër. Nuk më pëlqen të jem monotone me ‘look-un’ tim dhe kjo ndoshta më personifikon mua. Duke qenë se nuk më pëlqejnë gjërat standarde në jetë si nga ana muzikore, si dhe në aspekte të tjera, zgjedh të kuroj kështu pamjen time.

Cili është mesazhi që i jepni vetes çdo mëngjes?

Nuk është se kam një mesazh specifik që i jap vetes, por gjithmonë zgjohem me idenë “ditë e re, mundësi të reja”.

Po për sa i përket jetës suaj përtej skenës, cili është statusi që ju mbani? Po modeli i mashkullit perfekt?

Siç më pëlqen të kem një jetë artistike të mbushur me emocione, ashtu e konsideroj dhe jetën time përtej skenës. Nuk mund të them që kam një model të një mashkulli perfekt ose ndoshta arsyeja është personi, të cilin nuk e kam gjetur akoma.