ARSYEJA/ Këngëtares shqiptare i ndalohet hyrja në Zvicër pas 15 vitesh – AlpeGossip
ARSYEJA/ Këngëtares shqiptare i ndalohet hyrja në Zvicër pas 15 vitesh

ARSYEJA/ Këngëtares shqiptare i ndalohet hyrja në Zvicër pas 15 vitesh

Një këngëtareje shqiptare nga Kosova, që kultivon muzikën foklorike, i është ndaluar hyrja në Zvicër. Kjo ndalesë i është shqiptuar pas plot 15 vitesh që ajo shkonte rregullisht dhe këndonte në lokalet e shqiptarëve në Zvicër.

Bëhet fjalë për këngëtaren Xhevahire Bytyqi, e cila do të këndonte në lokalin “Club Villa Miami” të Ramadan Millakut, në Glattbrugg të Cyrihut, shkruan gazeta Neue Zürcher Zeitung.

Arsyetimi i zyrës në fjalë është shkatërrues: “Bytyqi nuk është një këngëtare shumë e kualifikuar. Veç kësaj, shkalla e pretenduar e lartë e njohjes që gëzon ajo në vendin e saj, nuk është dëshmuar mjaftueshëm”, transmeton albinfo.ch.

Me fjalë tjera, këngëtarja nga Prizreni, është, sipas zyrës për Migracion, “tepër e keqe” për t`u prezantuar në Zvicër, shkruan NZZ.

Ndërsa Millaku si pronar i lokalit, është shumë i dëshpëruar me vendimin e Zyrës së Migracionit. Ai thotë se një veprim i tillë do t`ia shkatërrojë biznesin, duke qenë se vendime të tilla, negative, i kanë ardhur edhe për këngëtarë tjerë, me të cilët ai e mban gjallë lokalin.

Arsyeja përse gazeta e përmendur merret me një temë të tillë qëndron në statusin jo shumë të qartë të këngëtarëve dhe artistëve që vijnë në Zvicër nga vendet e treta si dhe në abuzimet që ndodhin me këtë status.

“Në fakt, udhëzimi i Zyrës për Migracion kërkon që muzicientët nga vendet e treta që kërkojnë leje qëndrimi të shkurtë në Zvicër, duhet të dëshmojnë se do të ofrojnë prezantim cilësor muzikor në nivel të lartë. Ata, vërtet që nuk detyrohen të këndojnë në lokalet e zyrës në fjalë por duhet të sjellin një dëshmi për kualifikimet e tyre”. Këtë e kishte bërë edhe Xhevahire Bytyqi. Ajo kishte sjellë një vërtetim të një shoqate kosovare, sektorit për këndim dhe vallëzim të së cilës Xhevahirja i takon nga viti 2000, përcjell albinfo.ch. Veç kësaj ajo ka qenë në mënyrë të rregullt e pranishme si këngëtare në Zvicër që prej 15 vitesh.

Por, Zyrës për Migracion, nuk i mjaftoi e gjithë kjo. Punonjësit e zyrës kanë hulumtuar në youtube, ku kanë gjetur se videot muzikore të këngëtares në fjalë janë kërkuar në mes 3500 dhe 31.000 herë, shifër kjo e ulët sipas zyrës në fjalë, për ta konsideruar këngëtaren si “të njohur dhe shumë mirë të kualifikuar”.

Edhe Drejtoria për Siguri e Cyrihut, si instancë ku është bërë ankesa, ka vendosur njësoj sikur zyra e përmendur. Kjo, përkundër faktit se këngëtarja ndërkohë kishte sjellë edhe dokumente të tjera që dëshmojnë veç tjerash se ajo ka një diplomë të shkollës së mesme të muzikës, transmeton albinfo.ch. Por, as kjo nuk i ka mjaftuar drejtorisë së sigurisë, e cila e ka hedhur poshtë ankesën.