Një pjesë nisën në një kohë kur ekranet sapo kishin nisur të shtoheshin, një tjetër ishin në një fazë eksperimetimi të jetës së tyre, grupi i tretë vinte nga kompeticione të ndryshme bukurie dhe nuk donte ta linte rrugëtimin me aq. U gjendën në ekran nga rrugë të ndryshme, me pak fat dhe me shumë punë, por ia dolën të krijonin identitet. Aq sa, sot që nuk janë, diçka duket se i mungon ekranit… Kush nuk e pranon që Tv Klanit i mungon buzëqeshja e ëmbël e Floriana Garos, Top-it saktësia dhe qetësia e pashoqe e Eriona Shehut dhe Monika Stafës? Por nuk janë vetëm ato. Rruga nisi në televizion, vijoi gjatë aty, por nuk u ndal. Diku, dikush i njeh dhe i përshëndet: “Ahhh, ti je ajo që kemi parë në televizor” ose “Po ti kur do kthehesh në televizor?”. Si në rastin e parë, edhe në të dytin, shoqërimi me një buzëqeshje është e para gjë që u ndodh natyrshëm, ndërsa e dyta është nostalgjia për kohën, por ndoshta edhe dilema për një rikthim në një kohë tjetër. Televizioni dhe bota e tij e madhe është një magnet që të tërheq gjithmonë pranë vetes. Edhe nëse zgjedh një ditë t’ia lësh së shkuarës, siç kanë bërë disa prej moderatoreve më të njohura, sërish kur i afrohesh rrezes (qofshin ato edhe kujtimet), e ke të vështirë të mos tundohesh…
…. Por e rëndësishme është të mbetesh, të lësh gjurmë. Siç bënë ato. Zgjodhën të jenë dhe të mbeten. Të mbeten edhe pas largimit.
Floriana Garo
Një prej të larguarave të fundit nga ekrani, e nisi rrugën televizive pas shpalljes Miss Albania 2012 dhe më vonë me përfaqësimin e Shqipërisë në Miss World 2012 në Kinë. Pas 8 viteve në Amerikë, Floriana nuk e pati të vështirë të përshtatej me ekranin në Shqipëri me rubrikën e motit, fillimisht, në ABC News. Më vonë, “Jo vetëm modë” në Tv Klan ishte një projekt që nisi dhe vijoi rrugën bashkë me të. Edhe pse sot ka një moderatore tjetër, Fjoralba dha kontributin e saj si te një bebe e sapolindur që duhej rritur. E ushqeu, e rriti bashkë me stafin dhe e la rrugën të hapur për ata që e vazhdojnë. Sot, Fjoralba, jeton dhe gëzon jetën me familjen dhe vajzën e saj të vogël, Adia, në Zvicër, ku edhe punon në projektet e bashkëshortit. Më rrallë kthehet në Shqipëri dhe përshëndet nga ndonjë studio televizive, por fansat i mban afër edhe me llogaritë e saj sociale. Buzëqeshjen e ka aksesor të pandarë në çdo kohë, sado dhe sido t’i shkojnë gjërat, ndaj edhe profili i saj i ëmbël do t’i mungojë gjithmonë ekranit.
Eriona Shehu
Në Top Channel, atë e thërrisnin doktoresha, ndërsa në QSUT, “spikerja e lajmeve”… derisa një ditë Erjona Shehu vendosi të mos i mbante të dy emrat. Rreth 5 vjet më parë, spikerja e njohur Erjona Shehu mori vendimin për t’u shkëputur nga televizioni dhe për t’iu përkushtuar me kohë të plotë profesionit të saj. Studimet për vite të tëra në mjekësi dhe në fund të tyre diploma, ishin një finale, pas së cilës Erjona nuk kishte më asnjë dyshim që do t’i përkushtohej asaj për të cilën kishte investuar: “Ishte një vendim që erdhi natyrshëm. Nuk e di cili ka qenë momenti që vendosa, por besoj diplomimi ka qenë shumë i rëndësishëm. Në atë moment ka qenë finalja absolute….” – kujton Erjona për kohën kur vendosi të ishte dermatologe para se të ishte spikere në televizion. Por nuk e mohon se rastet kur ka vënë në pikëpyetje mjekësinë për të vendosur përfundimisht televizionin nuk kanë qenë të pakta: “Televizioni është i lodhshëm, sepse shumë mendojnë që është punë luksi, por jo, nuk është i lehtë… Kur vendosa, ndoshta kisha parasysh edhe investimin për vite të tëra në mjekësi.” Në punën e saj e pyesin njerëzit kur do të kthehesh në televizion. “Mbaj mend një rast, një zotëri më pyeti, “po ti, kur do të kthehesh në TV për të dhënë lajmet? Po të pyes, sepse babai im nuk dëgjon mirë, por vetëm ty të kuptonte kur jepje lajmet”,- tregoi me humor ish-folësja e lajmeve pak kohë më parë në Top Channel. Tashmë ajo është mjeke me kohë të plotë, megjithëse televizioni për të vazhdon të jetë një dashuri e madhe, së cilës i kthehet për të folur si profesioniste.
Monika Stafa
Në të njëjtën kohë me Erionën, edhe Monika Stafa u kthye në ikonë televizive e ekranit të Top Channel. Që nga fillimet e tij e derisa vendosi të heqë dorë, Monika nuk e humbi profilin që krijoi për vite të tëra: e thjeshtë, e qartë, e paqtë, korrekte dhe me energji pozitive në çdo transmetim. “Exclusive”, për çdo të diel ishte gjithashtu një hapësirë në të cilën Monika kontribuonte shumë shpesh me tema interesante nga hostoria – pika e saj e forte – por edhe më gjerë. Megjithëse nuk iu nda gazetarisë, Monika vijonte paralelisht edhe rrugën akademike. Jashtë ekranit, Monika ka marrë gradën Doktor dhe pak vite më parë zgjodhi të shkëputet nga televizioni për të punuar si shefe e Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Fjoralba Mishaxhi (Shehu)
Profili i një spikereje lajmesh të cilën duhet ta kenë model shumë të reja. Qetësia dhe korrektësia me të cilën Fjoralba transmetonte lajmet nuk ngjante me asnjë model të parë më herët në ekran. Rrugën në ekran e nisi në rininë e saj, me programe e spektakle në TVSH për ta kaluar disa vite më vonë në ekranet e sapohapura me formate të ndryshme, derisa veten e gjeti në Tv Klan te lajmet.
Prej vitesh, Fjoralba është larguar nga Shqipëria për t’u transferuar përfundimisht në Angli së bashku me familjen. Megjithëse, në pamje të parë, duket se ekrani është një konsum i madh që harron kush hyn e kush del nga ajo derë, Fjoralba është nga ato imazhe që nuk harrohen lehtë. As zëvendësohen. Askush si ajo, nuk hyn e nuk del pa bërë as më të voglën zhurmë, as para dhe as prapa kamerave.
Eralda Hitaj
Një prej më të bukurave të ekranit erdhi gjithashtu nga kompeticionet e bukurisë. Prezantuesja e njohur e Top Channel, Eralda Hitaj, jo vetëm u bë pjesë e programeve rinore në Top Channel, por njëkohësisht u kthye shpejt edhe në imazhin e pastër të shumë prej produkteve dhe brandeve të njohura në vend. Një imazh shumë i ngjashëm me Angelina Jolie, Era u pëlqye nga të gjithë, por nuk e pati të gjatë rrugën e nisur në televizion. Edhe pse u gjend rastësisht në botën e madhe të vëmendjes, e ruante me shumë fanatizëm jetën private dhe lidhjen e gjatë të dashurisë. Prej disa vitesh, Era është bërë nënë dhe është zhvendosur në Gjermani së bashku me bashkëshortin. Punon në një qendër sociale për familjet dhe fëmijët në nevojë. Era dhe bukuria natyrale e saj do t’i mungojë gjithmonë ekranit.
Daniela Kostandini
U kthye gjithashtu në imazh profesional shumë shpejt. Për modelin e ri dhe trendin që tashmë kishin filluar të transmetonin spikeret e lajmeve. Me flokët e shkurtër dhe buzëqeshjen e ëmbël me të cilën shoqëronte përshëndetjet, Daniela Kostandini i mungon jo më pak ekranit. Me sa duket, vendimi i tërheqjes erdhi papritur. Pak pas largimit, Daniela u përfol edhe për ndarjen nga bashkëshorti. Nga sa është mësuar, ajo është zhvendosur në marrëdhëniet me publikun.
Jeta Toçilla
E ka nisur si moderatore në disa ekrane; Koha TV, Shijak TV, Vizion Plus dhe RTSH: “U tërhoqa nga televizioni, sepse doja të isha në profesionin tim si psikologe, por mua nuk më mungon televizioni, sepse edhe si profesioniste dal në televizion”,- rrëfeu Jeta në një bisedë pak kohë më parë në Top Channel: “Nuk është se e lashë televizionin prej fëmijëve, por prej profesionit, punoj si koordinatore në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është një pozicion që është hapur për herë të parë në Shqipëri, ndaj kam shumë sfida përpara”, – vijoi ajo.
Ornela Bregu
E nisi shumë herët rrugëtimin në ekran duke fituar besimin e programeve më të rëndësishme për kohën. “Portokallia” me Ornela Bregun dhe Agron Llakajn për disa vite ishte një pikë e fortë e spektaklit të humorit që vijoi për disa vite. Pas një shkpëputjeje, Ornela u kthye sërish në Top për të qenë në krah të Adi Krastës në “E diell”, ku sërish dha më të mirën me origjinalitetin e saj. Edhe pse një ndër figurat më të dashura të ekranit, vendosi një ditë ta lërë këtë rrugë për t’u transferuar bashkë me familjen në Spanjë. Prej andej, përshëndet fansat nga profilet e saj sociale, por në çdo foto të re, nuk mungon pyetja “Kur do të rikthehesh në ekran?” Të gjithë e duan bionden e bukur që me ekranin ka një kimi të lindur. Ashtu natyrshëm, edhe ajo ekranin, edhe ekrani atë e deshën njëri-tjetrin pa u sforcuar, ndaj edhe buzëqeshja e saj është një emocion që ekrani nuk e ka më, për fat të keq.