Zakonisht personazhet e njohur të ekranit mundohen që jetën e tyre private ta mbajnë sa më larg vëmendjes së publikut dhe mediave. Shumë prej tyre tregohen mjaft hermetikë dhe në intervista të ndryshme apo rrjetet sociale, ata preferojnë që të mos flasin për partnerët, fëmijët dhe familjarët.
Por çfarë po ndodh me banorët VIP të “Big Brother”? Thuajse secili nga banorët ka rrëfyer diçka shumë personale nga jeta e tyre që askush nuk e dinte më përpara.
Ndjekësit e tyre kanë mbetur të habitur nga rrëfimet e yjeve dhe shumë prej tyre pyesin se pse i tregojnë pikërisht tani? Cila është arsyeja që ata vendosën që histori shumë personale që prekin njerëz që janë jashtë shtëpisë së famshme, t’i tregojnë para një publiku të madh?
Po i tregojnë për më shumë vëmendje, për më shumë famë dhe të prekin zemrën e publikut me to?
Së fundmi aktori i njohur i humorit, Donald Veshaj, ka bërë një rrëfim si asnjëherë më parë për lidhjen e dashurisë me moderatoren bukuroshe, Bora Zemani.
Ai pranoi publikisht se “Bora është femra që ka dashur më shumë gjatë gjithë jetës”. Po pse pikërisht tani? Mos ndoshta i dërgoi një sinjales ish-partneres? Si e priti publiku këtë rrëfim të tij?
Kujtojmë se teksa po qëndronte në oborrin e shtëpisë së “Big Brother VIP” së bashku me Semin, Fifin dhe me Kledin, Donaldi tha se është shumë i turbullt dhe nuk e di nëse mund të ketë një rikthim mes tyre apo jo.
Gjatë bisedës, Donaldi nisi të rrëfejë historinë e njohjes me Borën. Ai zbuloi se janë parë me njëri-tjetrin në një lokal dhe të dy kanë shkëmbyer shikime flirtuese. Megjithatë, secili ishte i shoqëruar me persona të tjerë dhe përveç shikimeve, asgjë tjetër nuk ndodhi atë ditë.
“Ishim te lokali dhe u ulëm kështu ballë për ballë dhe vetëm po e shikoja, dhe kur e shikoja që ajo më shihte hiqja kokën se nuk doja të dukesha si maniak. Njeriu po pa keq ka probleme. Edhe i thosha shokut: ‘O plak, shiko çik, po më shikon apo jo?’.
Semi ka qenë në tavolinë (me Borën dhe me një shoqe tjetër të tyren, ndërsa Donaldi ishte me shokun e vet dhe me Jonida Maliqin). U ula me kurriz dhe bëja sikur flisja me këtë shokun, hapja gojën kot. Unë asnjëherë nuk ngacmoj, nuk jam tipi. Shoku më thoshte: ‘Po të ha me sy!’”, tregon fillimisht aktori i njohur.
Donaldi foli gjithashtu edhe për djalin e Zemanit, Arborin, për të cilin tha se e do shumë dhe ka pasur një marrëdhënie të shkëlqyer.
“Nuk e di a jam gati ta lë të më ikë si person. Për mua është historia më e bukur që më ka ndodhur në jetë dhe jam shumë me fat që e kam përjetuar. Sido që të jetë. Unë e vlerësoj atë gocë, sepse është një gocë fantastike, është një grua e fortë, sepse ka një fëmijë dhe është një njeri që përpiqet shumë për gjërat e veta.
Jam shumë i lidhur me çunin e vet dhe e them me plot gojë që e dua shumë. Është gjashtë vjeç. E dua shumë. Ai kishte festën e ‘Abetares’ dhe unë doja që të isha aty, por ishim ndarë dhe nuk shkoja dot”, shtoi Veshaj.
Ndër të tjera, Donaldi zbuloi se tekstin e këngës së Elgit Dodës, “TL” (Toxic Love, Dashuri Toksike), e ka shkruar ai dhe i dedikohet marrëdhënies që ka pasur me Borën. Kjo ishte arsyeja pse aktori i kishte thënë këngëtarit që ta publikonte pasi të hynte në shtëpinë e “Big Brother VIP”.
Ditën e djeshme, artisti bëri deklaratën e fortë për Bora Zemanin kur tha:
“Jam shumë i turbullt prej situatave që kanë ndodhur. Të gjitha bashkë kanë qenë, xhelozi… ne ishim gjela të dy. Thjesht ziheshim shumë. E ke parasysh?
Domethënë rrije 4-5 minuta mirë, një orë mirë, pastaj gjatë gjithë kohës ziheshe, kapeshe me gjëra pa lidhje. Pastaj secili mbante mëritë e veta. U bë e vështirë. Por nuk është se u ndamë se nuk duheshim.
Po, jemi shumë të njëjtë. Dy gjela në një shtëpi nuk rrinë, unë jam koshient për këtë. Ajo është femra që unë kam dashur më shumë gjatë gjithë jetës. Nuk merreshim vesh, thoshim: ‘Pse ti këtë, pse ti atë?’ Dy gjela në një shtëpi nuk rrinë, është e pamundur”.
Ndërkohë në llogarinë zyrtare në “Instagram” të “Big Brother VIP”, ndjekësit janë ndarë në dy grupe. Janë ata që mendojnë se Donaldi gjithë këtë rrëfim e bëri për ta besuar publiku dhe që të largojë vëmendjen nga ai dhe Semi, e nga ana tjetër ka persona që mendojnë se ai është i sinqertë në gjithçka tha.
“Thjesht do ti mbushë mendjen publikut që nuk e ka mendjen te Semi dhe që publiku të mos nxjerrë Semin jashtë për tradhtinë që po i bën shoqes së ngushtë. Është lojë e Donaldit kjo. Pse pikërisht dje u kujtua të përmendte dashurinë e madhe për Boren? Apo i doli Semi në nominim”, shkruan një ndjekës, i cili është mbështetur nga shumë të tjerë.