Pasditen e sotme i ftuar tek “Rudina” ishte deputeti Arben Ristani. Ai foli për karrierën e tij politike, pasionet dhe familjen. Ndër të tjera, u ndal edhe tek historia e birësimit të të birit, Tomas.
“Çështja është se marrëdhëniet duhen krijuar të vërteta dhe të drejta. Nuk është e mirë që marrëdhënia të krijohet mbi një gënjeshtër. Kështu që absolutisht për çdo prind që do të ndërmarrë një hap të tillë, nuk është se e kam timen origjinale, e kam të konsultuar dhe sigurisht që jam konsultuar me psikologë, jam konsultuar me njerëz që kanë patur përvoja të tilla dhe ajo që më rezulton është ndërtimi i një marrëdhënieje mbi të vërtetën.
Kështu që në mënyrë absolute ka gjëra që duhen thënë dhe nuk ka asnjë pasojë për sa kohë që në themel të marrëdhënies është dashuria. Çdokujt po t’i japësh dashuri, ne mbajmë kafshë në shtëpi dhe në momentin që transmeton dashuri edhe kafsha është afër. Jo më një njeri, një fëmijë tek i cili mjafton të transmetosh dashuri dhe të ndërtosh atë marrëdhënie që duhet. Pastaj pjesa tjetër duhet ndërtuar dhe duhet të jetë e vërtetë.”
Ristani tregoi se Tomasi i vogël dëshiron që kur të rritet t’i ngjajë atij.
Arben Ristani dhe bashkëshortja e tij Alketa e birësuan djaloshin në vitin 2014, ndërkohë ai ka edhe një vajzë 23- vjeçare nga martesa e parë, të quajtur Nensi.