“Dubai Porta Potty” është shndërruar në skandalin e fundit në rrjetet sociale. Video ku një influencer shfaqej duke ngrënë jashtëqitjen e një mashkulli në Dubai, provokoi reagime të ashpra. Duket se buja ka mbërritur edhe në Shqipëri, ku të shumtë kanë qenë ata që kanë mbajtur një qëndrim lidhur me këtë fakt.
Zhaklin Lekatari është ndër personazhet që më së shumti flet për fenomene të tilla, duke sqaruar, por edhe duke na sjellë këndvështrimin e saj për këtë temë. Në intervistën e saj dhënë për “Panorama Plus”, gazetarja zbulon anën tjetër të “Dubai Porta Potty”, si një fenomen seksual, por edhe atashimi që iu bë me femrat e “showbizz”-it shqiptar.
“Dubai Porta Potty” është shndërruar në kryefjalën e rrjeteve sociale, a kishit dëgjuar më parë për këtë fenomen?
Po, kam dëgjuar më parë për fenomenin e “coprophilisë” (marrja e kënaqësisë nga kontakti me jashtëqitjet), apo dhe pjesës më tabu të kësaj sjelljeje atipike, që është “coprofagia” (pra, ngrënia e jashtëqitjeve). Markezi de Sad, një aristokrat francez, është nga të paktët shkrimtarë, pioner i sadizmit, libidosë dhe erotikës, para dhe vetë Frojdit, e përshkruan këtë gjë si një akt delikat dhe filozofik. Markezi De Sad, por me pas dhe Frojdi, kanë folur dhe shkruar për trupin e njeriut, duke e trajtuar atë si një plejadë kënaqësish dhe dhimbjesh të përcaktuara nga dëshirat, instinktet dhe orekset seksuale. Simone de Beauvoir pastaj e ka identifikuar de Sadin, si pararendës të Frojdit në kuptimin e intuitës së parafilive seksuale. Janë romanet e tij që kanë frymëzuar termin sadist, pra një person që sjell kënaqësi, veçanërisht seksuale, nga shkaktimi i dhimbjes apo poshtërimit të tjerëve.
Në rrjet është përshkruar si një akt i neveritshëm, si e sheh Zhaklina?
Unë e shoh si një sjellje atipike, por nuk e përcaktoj dot me saktësi nëse kemi të bëjmë me një parafili, me një çrregullim parafilik apo një raport pushtet-eros. Ka shumë pak informacion rreth kësaj ngjarjeje dhe në fund të ditës, pa të dhëna të vërteta çdo gjë ngel në kuadrin e hipotezës dhe hamendësimit. Parafilët ndahen në dy kategori të përgjithshme, detyruese dhe jo-detyruese, dhe dallimi kryesor është elementi i detyrimit dhe cenimit të lirisë së dikujt tjetër. “Coprophilia”, por mbi të gjitha “coprofagia” janë dhe të rrezikshme sidomos për shëndetin, duke parë që feçet kanë baktere që në fund rrezikojnë mirëqenien e përgjithshme.
Mendoni se videoja e publikuar e sjell të plotë realitetin tjetër të Dubait, larg luksit?
Jo, nuk mendoj që një video e vetme mund të pasqyrojë plotësisht realitetin e një vendi, kulture apo konteksti tjetër. Sigurisht që në botë prostitucioni ka ekzistuar dhe do vazhdojë të ekzistojë bashkë me njerëzimin, kështu që nuk jam e habitur nga kjo ngjarje apo e tronditur nga anët e errëta të botës që në fakt janë aty që në gjenezë, sepse janë pjesë e natyrës njerëzore. Pra, nuk kam menduar ndonjëherë që ka një qytezë në botë që është parajsa tokësore kur fenomenet negative dhe çrregullimet në sjelljet njerëzore nuk ekzistojnë.
Sa të familjarizuar janë shqiptarët jo vetëm me “Dubai Porta Potty”, por me konceptin fetish? Cila mendoni se është arsyeja që po flitet kaq shumë në vendin tonë për videon?
Për mendimin dhe sigurisht bazuar në eksperiencën time të përditshme me ndjekësit e mi, them me bindje që ne jemi një popull me shumë pak kulturë dhe edukatë të përgjithshme dhe sigurisht dhe seksuale. Nuk kemi shumë informacion mbi parafilitë dhe fetishizmin, sepse ekziston një dallim midis tyre, ndërkohë që parafiltë janë sjellje atipike dhe shkojnë përtej dashurisë, sepse eksitimi dhe reagimi seksual varet nga një veprimtari e pazakontë ose e çuditshme, fetishizmi është një nevojë gati patologjike e lidhjes me disa objekte apo veprime, megjithatë fetishizmi shpesh është një shtesë, nuk është një nevojë e kobshme dhe ka të bëjë dhe vetëm me objektin, për shembull lëkurën. E thënë më thjeshtë një fetishizëm nuk është e thënë të jetë parafili.
Kush është kufiri, ku një akt seksual kalon në një skenë të neveritshme, apo të turpshme për opinionin publik?
Secila shoqëri apo formë tjetër e organizimit të jetës përcakton veprimtarinë seksuale që trajtohet si sjellje normale apo jo normale. Gjatë evoluimit njerëzor dhe sigurisht me zhvillimin e seksualitetit, si dhe normave dhe rregullatorëve të tjerë, disa nga aktivitetet seksuale që kanë qenë të klasifikuara si devijime apo çoroditje, në ndryshimet e mëvonshme janë renditur si sjellje seksuale normale të pranueshme. Jo secila shprehje seksuale shfaqet njësoj dhe në zhvillim apo kohëzgjatje, megjithatë mendoj që kufiri qëndron të shtrëngimi dhe të dëmtimi. Nëse kjo sjellje është një qëllim për veten dhe kjo sjellje nuk dëmton aktivitetin e përditshme të personit dhe të tjerëve atëherë është e pranueshme. Mendoj që në çdo veprimtari ky duhet të jetë kufiri, respekti i hapësirave personale dhe jo sjellje pushtuese apo detyruese.
Ndërkohë, në rrjet gjithnjë e më shpesh po i atashohet edhe femrave të “showbizz”-it shqiptar ky fenomen, cila është arsyeja sipas jush?
Arsyeja se pse i atashohet ky fenomen edhe vajzave të “showbizz”-it shqiptar, mendoj ka të bëjë me lokacionin, vendndodhjen Dubai, dhe fenomenin e prostitucionit “high class”, sesa me “coprophilinë” apo sjelljet atipike seksuale. Jemi të bombarduar me foto në mediet sociale, me vajza të cilat pretendojnë ose dhe bëjnë një jetë luksoze, udhëtime të shpeshta në Dubai, sjellje të hiperseksualizuara dhe asnjë angazhim profesional apo të ardhura familjare që justifikojnë një nivel të tillë jetese. Prandaj deri diku është e kuptueshme që një ngjarje e tillë do krijonte kaq shumë thashetheme duke krijuar një paralelizëm midis modeleve dhe eskortave ne videon e bërë virale dhe atyre të vendit tonë.
Me këtë video, mendoni se kemi parë gjithçka, sa i përket një marrëdhënieje me sjellje atipike seksuale ?
Jo, nuk mendoj që me ketë video kemi pasqyruar apo kemi marrë një ide të plotë se si mund të jetë një sjellje atipike seksuale, mendoj që pedofilia është çrregullimi parafilik më i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm se “coprophilia”./Panorama Plus