Asgjë nuk dihej për “Portreti i një Zonje” të Gustav Klimt, që prej kohës kur piktura u vodh 23 vite më parë në një galeri arti në Piacenza, në veri të Italisë. Por vepra e artit me vlerë 60 milionë euro mendohet se është gjetur, si për ironi të fatit, në murin e galerisë ku humbi gjurmët.
Teksa një prej punëtorëve po pastronte dredhkat në murin e jashtëm të galerisë, pikasi një si zgavër, brenda së cilës u gjet piktura e mbështjellë me një qese plastike.
Për momentin po punohet për verifikimin e saj, por drejtori i galerisë, Massimo Ferrari, është i bindur se bëhet fjalë për pikturën origjinale, sepse ka të njëjtat pulla prej dylli në pjesën e prapme.
Policia po heton nëse hajdutët e fshehën pikturën në galeri me qëllim që të largonin vëmendjen e medias dhe policisë, por nuk dihet ende se çfarë i detyroi që të mos ktheheshin kurrë.
Piktura u vodh më 22 shkurt të vitit 1997 nga galeria e artit modern Ricci-Oddi në Piacenza. Korniza e saj u hodh në çatinë e ndërtetës, një përpjekje kjo që hajdutët e bënë në mënyrë që ta nxirrnin pikturën nga dritarja.
Portreti i një Zonje mendohet se u pikturua nga artisti vjenez në vitet 1916-1917, kur Klimt ishte në vitet e fundit të jetës. Ajo çfarë e bën të jashtëzakonshme pikturën e tij është fakti se pak muaj para se të vidhej, një studente arti, Claudia Maga, zbuloi asokohe se Portreti i një Zonje ishte pikturuar sipër një tjetër vepre të artistit, Portreti i një Zonje të Re (1912). Ajo arriti ta provonte këtë përmes testit me rreze X.
Piktura origjinale tregonte portretin e një vajze të re nga Vjena, që kish vdekur papritur. Klimt pikturoi një tjetër portret, si për të harruar dhimbjen e vdekjes së saj.