Erion Kristo "ironizon": Që kur jam larguar nga politika, ndihem mirë me shëndet - AlpeGossip
Erion Kristo “ironizon”: Që kur jam larguar nga politika, ndihem mirë me shëndet

Erion Kristo “ironizon”: Që kur jam larguar nga politika, ndihem mirë me shëndet

Gazetari i njohur Erion Kristo është shprehur se nuk është me asnjë parti politike.

I ftuar në emisionin ‘Ditë e Re’, Kristo u shpreh se ka mbi 17 vite që qëndron larg politikës dhe kjo e bën që të ndihet mirë.

Ai nënvizoi se nuk është kundra rrymës por detyrohet të flasë mbi tema të caktuara sepse askush tjetër nuk e bën këtë gjë.

Erion Kristo: “Nuk jam me asnjë parti politike. Kam gati 17 vite që kam hequr dorë nga politika, ndoshta 18 dhe ndihem shumë mirë më shëndet pa u marrë me këtë tollovinë e përgjithshme. Nuk është se kam kundër çdo rryme por disa gjëra që duhen thënë, duhen thënë. Madje unë nuk kam as qejf që ti them por detyrohem ti them sepse nuk i thotë askush tjetër. Prandaj duket sikur jam kundër rrymës.”

Kristo nënvizoi se e thotë mendimin e tij pavarësisht se kush i del para.

Erion Kristo: “Në përgjithësi kam qejf të jem aktiv dhe jam. Por jam më tepër meditativ, tip dembeli. Babai im tani që po më shikon e di që më ka thënë gjithë jetës dembel. Nuk është dembelizëm por nevojë për të patur kohë për të menduar. Mua po të më lësh në një cep, nuk e merr vesh njeri jam apo nuk jam gjallë. E kaloj kohën me gjenitë e botës, muzikantët, shkrimtarët, piktorët e mëdhenj, me ata e kam kunjin. Detyrohem të ndërhyj në shoqëri për të thënë mendimin tim aq sa vlen. Gjithmonë e kam thënë. Nëse më ka ardhur për të thënë, edhe tanksi të jetë para, edhe i forti i lagjes të më dalë para e them atë që mendoj, nëse gjëja nuk shkon.”

Gazetari tha se njerëzit e duan të vërtetën pavarësisht se i tremben.

Erion Kristo: “Njerëzit e duan të vërtetën pavarësisht se i tremben asaj. Shpeshherë bashkohen me të vërtetën dhe kanë nevojë për njëlloj orientimi dhe kur bëhet me dashuri, pa hile.”