Ertemiona Mejdani: Unë dhe Devisi s’duam të jemi modeli i çiftit që martohen e ndahen  – AlpeGossip
Ertemiona Mejdani: Unë dhe Devisi s’duam të jemi modeli i çiftit që martohen e ndahen 

Ertemiona Mejdani: Unë dhe Devisi s’duam të jemi modeli i çiftit që martohen e ndahen 

Ish-Miss Shqipëria, Ertemiona Mejdani, dhe Devis Xherahu kanë një lidhje disavjeçare dashurie, që po planifikojnë ta finalizojnë me martesë.
Këngëtari i njohur ishte i ftuar në programin e Ermal Mamaqit me mikun e tij, këngëtarin grek Lefteris Pantazis, ku dhe iu përgjigj pyetjeve ngacmuese për lidhjen e dashurisë, shtratin apo celebrimin. E tërhequr nga jeta publike për t’u rikthyer me projekte të rëndësishme ndërkombëtare, është Ertemiona ajo që rrëfen gjithçka rreth bashkëjetesës me artistin dhe sekretin, që i mban të lidhur fort me njëri-tjetrin

Duket sikur je tërhequr pak nga jeta publike. Cili është angazhimi yt aktual pas pjesëmarrjes dhe fitoreve në disa gara bukurie?
Jam tërhequr së postuari nëpër rrjete sociale, por kjo s’do të thotë se jam tërhequr nga jeta publike. Unë kurrë nuk kam qenë natyra që kam dashur të bëj zhurmë në ato që bëj, edhe pse ka ndodhur për shkak të rëndësisë që kanë pasur. Në kohët që po jetojmë, ky këndvështrim është bërë shqetësues, sepse nuk ka aspak privatësi. Kohët e fundit, kam pasur dëshirë që gjërat e mia t’i realizoj pa shumë zhurmë, edhe pse mund të jenë më të mëdha sesa statuset e tipit “M’u thye thoi”. Angazhimet e mia personale dhe profesionale janë të shumta, por nuk kam pasur dëshirë t’i bëj publike. Kam vendosur që për një moment të jem “para ekranit” si një shikuese duke u thënë “JO” të gjitha ofertave apo intervistave televizive për të kuptuar se çfarë dreqin po ndodh dhe se çfarë po promovohet në televizionet shqiptare. Kam shumë oferta nga jashtë, mirëpo në kohën dhe momentin që jam, duhet të tregohem selektive për të mos lënë në mes edhe angazhimet e mia këtu. Njëkohësisht, jam në pritje për një kontratë tepër të rëndësishme në një nga shtetet fqinje, por nuk mund të jap detaje.

Si një “Miss Shqipëria” me kurorë, çfarë ambiciesh ke në botën e televizionit?

Ato që kam dashur deri tani i kam realizuar, pa cënuar karakterin dhe dinjitetin tim. Me kalimin e moshës, ambiciet e tua ndryshojnë dhe kalojnë në përmasa të tjera, për të cilat jam e sigurt që do të flasim sërish në një intervistë tjetër.

Pak ditë më parë partneri yt këngëtar, Devis Xherahu, postoi një foto me ty ku të quante “Amore”. Si do e përshkruaje ndjenjën tuaj të dashurisë me kalimin e kohës?

Do ta përkufizoja si një ndjenjë shumë të fortë, që deri tani nuk e ka lëkundur asnjë dhe asgjë…

Sa vite u bëtë bashkë dhe si e mbani pasionin ndezur?

U bëmë disa vite së bashku dhe them se ajo çka na mban fort, është ndjenja e fortë, falë së cilës i kemi rezistuar gjithçkaje. Gjithashtu, kemi gjetur më së miri gjuhën e përbashkët të ndërthurur më shumë dashuri.

A është Devisi, partneri që t’i plotëson të gjitha dëshirat, po për të qarë, të bën ndonjëherë?

Devisi ka bërë maksimumin e tij për të qenë një partner perfekt dhe ia ka arritur më së miri. Është natyrë e ndjeshme dhe jo vetëm që nuk do të më bënte për të qarë, por jam e sigurt që nuk do të lejonte askënd që të më mërziste.

Një partner artist nuk është i thjeshtë. Ti, has vështirësi për t’u përshtatur me jetën e tij në lëvizje apo me kapriçiot?

Jemi përshtatur jashtëzakonisht shumë mirë. Devi është artist, por e ndërton jetën mbi pozitivitetin e artistit, duke lënë mënjanë veset negative që ofron jeta e natës. Nuk bën kapriçio dhe është jashtëzakonisht korrekt.

Ndodh që bëhesh xheloze për të?

Unë nuk jam natyrë aspak xheloze. Gjërat i shoh subjektive. Ka disavantazhe, kur duhet të udhëtojë për festa dhe s’mund të jemi bashkë. Por kjo nuk përbën problem, sepse e kompensojmë më pas, ose alternohemi.

Kjo pyetje besojmë të bëhet shpesh, pra, kur planifikon të bëhesh nënë?

Nuk është në planet e mia të bërit nënë. Jam shumë e re akoma dhe përqendrimin më të madh tani e kam tek formimi im profesional. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë. Sigurisht, por ka kohën e saj si çdo gjë në këtë jetë.