EUROSONG/ Eugent Bushpepa këndon në konferencë: Frika nga gjysmëfinalja e vdekjes – AlpeGossip
EUROSONG/ Eugent Bushpepa këndon në konferencë: Frika nga gjysmëfinalja e vdekjes

EUROSONG/ Eugent Bushpepa këndon në konferencë: Frika nga gjysmëfinalja e vdekjes

Eugent Bushpepa e bëri një hyrje “alla grande” në provën e parë në Lisbonë. Sajti kushtuar Eurosong, Wiwiblogs, shkruan se “rokeri, zëri i të cilit nuk zbret asnjëherë nga niveli i përsosur, kapi notat e veta më të larta, ndërsa sytë e tij shihnin kamerën që nuk iu shqit asnjë çast”.

Në një shkrim pas provës së parë zyrtare në Lisbonë, Wiwiblog vëren se performancat e rokut kanë tendencën të jenë krejt të thjeshta dhe as kjo nuk përbën ndryshim.

“Ndriçimi – që përfshin të kuqen shqiptare – krijon një ambient të këndshëm që i shkon aq shumë këtij zhanri. Edhe më mirë: ata arrijnë ta mbushin gjithë skenën me instrumentet dhe karizmën e tyre. Eugent është i vogël, por nuk zhduket. Çfarë tjetër? Veshja e zezë në skenë dhe kohezioni i Eugentit me grupin, duket sikur ngjit në skenë një bandë që është në turne gjatë një koncerti – shtoi kësaj, edhe vokalistet femra shumë tërheqëse me veshje të zeza të ndezura”.

Bushpepa ka bërë për vete gazetarët në Lisbonë, jo vetëm me zërin dhe këngën. Ai ka plotësuar dëshirën e tyre duke kënduar për ta edhe në konferencë shtypi.

Para pyetjeve, gazetari i Wiwiblogs e vlerësoi për zërin, një gazetar britanik e cilësoi këngën e tij si këngën më të mirë shqiptare në Eurosong, ndërsa një gazetar polak, u shpreh se zëri i tij është fenomenal.

Zë fantastik, këngë fantastike, të gjithë janë të magjepsur pas saj.
Jam i interesuar të di, për aktivizmin tënd shoqëror sa i takon të drejtave të njeriut. Çfarë do të kërkosh për të drejtat e njeriut”, e pyeti një gazetar australian, për çka, Bushpepa u përgjigj, se “përpiqem të ndihmoj njerëz që janë në nevojë në Shqipëri. Marr pjesë në koncerte që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut”.

Në konferencën e mbajtur pas provës së parë në skenën e Eurosogn, ai tha se shkurtimi i këngës për t’u bërë e pranueshme për minutazhin e Festivalit Europian, ishte pak i dhimbshëm. Për të, shkurtimi bënte problem për kreshendon e notave të këngës “Mall”, për të cilën u shpreh se ka shkruar nga malli për familjen.

“Kur ishte nata finale e Festivalit të Këngës (në Shqipëri), në fillim nuk u ndjeva mirë, sepse nuk dëgjova mirë. Nuk dëgjova emrin tim kur u tha fituesi i Festivalit të Këngës, pastaj më thanë, e fitove ti dhe u emocionova”,-kujtoi ai. Bushpepa e quajti rritje artistike fitoren dhe një portë e hapur drejt një porte më të madhe.

“Do jap maksimumin tim për të kënaqur këdo që ka votuar për mua te Festivali i Këngës. Muzika është feja ime. Kam bërë muzikë që kur isha 6 vjeç. Kam bërë muzikë që kur mbaj mend. Është mënyra që unë e shpreh më mirë veten”,-tha ai.

I pyetur nëse ka muzikë ‘fast food’ në Shqipëri, Bushpepa tha se “ka muzikë komerciale, por s’do ta quaja fast food. “Unë vetë jam rock, sepse kështu jam unë nga brenda. Nëse dikush e kap ndjenjën rok që po shfaq, do isha i lumtur”.

NGA LISBONA
“GSH” ka kontaktuar dje me Kleart Duraj, pjesë e ekipit shqiptar që gjenden në Lisbonë për Eurosong.
Ai tha se në provat e para që ishin të dielën, Bushpepa doli shumë mire. “Ka ende disa gjëra për të ndryshuar e përmirësuar, e shpresojmë të rregullohen deri në provat e dyta. Kritika e ka pritur shumë mirë dhe me vlerësim maksimal për performancën vokale të Gentit. Po kështu dhe mediat kanë shprehur shumë interes. Genti i është përgjigjur të gjitha pyetjeve në konferencë. Ndjehet mirë dhe i sigurtë në vetvete”,-tha Duraj për “GSH”
Ai shtoi se “konkurrojmë në gjysmë finalen e parë që vlerësohet si gjysmë finalja e vdekjes, sepse ka shumë shtete me këngë të mira që konkurrojnë me këngë shumë të mira”.

Festivali Evropian i Këngës do të mbahet në datat 8, 10 dhe 12 maj këtë vit në Lisbonë të Portugalisë.
Shqipëria, e cila këtë vit prezantohet nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, do të performojë në natën e parë gjysmëfinale, më 8 maj 2018 dhe këndon i treti në renditje. Ndërkohë, ka shtete që shkojnë automatikisht në finale dhe nuk garojnë.
Në axhendë janë përcaktuar dy prova individuale për secilin shtet, dhe tri prova të lidhura të shfaqjes gjysmëfinale të secilit shtet përfaqësues. Çdo provë në përfundim të saj do të pasohet nga një konferencë për shtyp e delegacionit, për mediat e akredituara në Eurosong 2018. Për këngëtarin tonë përfaqësues, rëndësi të veçantë paraqet prova gjenerale e datës 07 maj, pra një ditë para konkurrimit, pasi në këtë provë bëhet votimi nga juritë profesioniste të secilit vend, votim i cili, duke i bashkëngjitur edhe votat e publikut në mbrëmjen e transmetimit live, përcaktojnë kalimin ose jo në finalen e madhe të datës 12 maj.

Burimi:GSH.al