”FESTIVALI I KËNGËS”/ Pse nuk pritej fitorja e Arilena Arës? – AlpeGossip
”FESTIVALI I KËNGËS”/ Pse nuk pritej fitorja e Arilena Arës?

”FESTIVALI I KËNGËS”/ Pse nuk pritej fitorja e Arilena Arës?

Mbrëmjen e djeshme, në Pallatin e Kongreseve u mbajt nata finale e ”Festivalit të Këngës” e cila përfundoi dhe me shpalljen e fitueses që do të na përfaqësojë në ”Eurovision 2020”, Arilena Ara.

Pas shpalljes së fituesit, nuk mund të themi se të gjithë ishin të lumtur, madje shumica nuk e prisnin dhe ndjenja e zhgënjimit u kuptua fare qartë nga komentet dhe përshtypjet. Por pse ndodhi kështu?

Si fillim që në hapat e parë të këtij edicioni të 58′ të ”Festivalit të Këngës”, kur u mor vesh se cilët artistë do të ishin pjesëmarrës, u diskutua se fituese do të ishte Elvana Gjata e cila e prezantoi veten me këngën ”Me tana”. Më vonë, përveç emrit të Elvanës, filloi të flitej posht e përpjetë dhe për Arilenën, gjë që i bëri këngëtaret të konsiderohen direkt si dy pretendentet kryesore. Të gjithë filluan me ”bastet” online se cila do fitonte dhe cila e meritonte. Nisën sondazhet, pyetjet dhe analizat e këngëve të cilat çuan vetëm në një gjë, ndarjen e publikut në dy skuadra. Elvana dhe Arilena.

Zhgënjimit të publikut nuk i vëmë faj për sa kohë shumica e ka shprehur pëlqimin e tyre kudo në rrjetet sociale dhe platformat e tjera. Mjafton të klikojmë në ”You Tube” këngët e dy artisteve dhe të dallojmë në mënyrë direkte hendekun e madh që qendron mes shikimeve të ”Me tana” të Elvanës dhe ”Shaj” të Arilenës. Ditët e sotme nuk është e vështirë të marrësh shikime në ”You Tube” pasi njerëzit klikojnë dhe thjesht për kureshtje, por përsëri, pavarësisht kësaj, Arilena nëpërmjet publikut nuk ka arritur ti afrohet Elvanës duke lënë kështu të kuptohet se në këtë plaftormë, publiku e ka bërë zgjedhjen e vetë.

Nga ana tjetër kemi sondazhet online. Në shumë nga portalet më të njohura shqiptare, emri i vetëm që siguron si fitues është ai i Elvanës dhe jo me një diferencë të vogël votash. Në të shumtën e rasteve për të mos thënë në të gjitha rastet, më shumë se 50% të votave e ka fituar Elvana duke e lënë kështu 50% tjetër të ndahet mes Arilenës dhe pjesëmarrësve të tjerë.

Përveç kësaj, ”Eurovisioni” është një festival i madh në të cilin pavarësisht krijimit të bukur, duhet lënë një gjurmë e Shqipërisë. Sipas ndjekësve dhe përdoruesëve të rrjeteve sociale kjo gjë ka humbur në këngën e Arilenës. ”Shaj” nuk është asgjë tjetër përveç se një baladë që mund të jetë krijuar me dashuri dhe performuar me potencial por në fund mbetet një baladë si gjithë të tjerat. Nga ana tjetër, përsëri sipas publikut, Elvana zgjodhi të përcjellë dashuri por me ritëm, zgjodhi kërcimin para vajtimit dhe ky është një element që shumë mirë do të mund të çonte pse jo sallën e ”Eurovisionit” në këmbë ashtu sic çoi dhe atë të ”Festivalit të Këngës”. Për më tepër ”Me tana” përcillte motive të dukshme të popullit tonë dhe ky element nuk duhej të zinte vendin pas një balade.

Vlen të përmendet se menjëherë pas shpalljes së fituesit, publiku vërshoi drejt moderatores së programit duke shprehur pa dorashka zhgënjimin që kishin përjetuar nga ky festival dhe sigurisht duke mbrojtur për herë të fundit artisten që ata kishin zgjedhur nëpër platformat që në fakt kishin të vetmen mundësi të bënin një zgjedhje.

Përveç çdo gjëje të përmendur më lartë, ekziston dhe një argument tjetër që në fakt i jep Arilenës titullin ”Fituese Surprizë”. Nga ana e publikut ishte shumë e papritur që një artiste shqiptare me një potencial fantastik të përfaqësojë Shqipërinë në ”Eurovision”, me një krijim që nuk përmban 100% vulë shqiptare. Krijimi i muzikës së ”Shaj” nga Darko Dimitrov dhe Lazar Cvetkovski nuk e ndihmoi shumë Arilenën në sytë e shqiptarëve. Pra për publikun, një plus tjetër i shkonte Elvanës për faktin se krijimi do të linte dhe në fakt la shenjë me ”vulë” plotësisht shqiptare.

Ndoshta e gjithë kjo ndodhi përshkak të fjalëve që dolën në fillim dhe prandaj produksioni vendosi të na ”surprizojë” me një tjetër fitues. Ndoshta kjo ishte një mënyrë e produksionit për të na ”vërtetuar” se fituesi nuk vendoset para festivalit.

Së fundmi, pavarësisht se fitorja e Arilenës u konsiderua si e papritur dhe ‘surprizë”’, ne nuk i urojmë gjë tjetër artistes përveç suksesit dhe të mirës. Ne shpresojmë që ajo do ta krenojë Shqipërinë ashtu siç Arilena di dhe pse jo të synojë dhe fitoren. /AlpeGossip.al