Këtë vit, Jonida Maliqi do përfaqësojë Shqipërinë në ‘Eurovision’ me këngën fituese ‘Ktheju Tokës’. Kënga do të këndohet në gjuhën shqipe, gjë që është pritur shumë mirë nga i gjithë publiku shqiptar dhe jo vetëm. Jonida ka zbuluar prej kohësh që përgatitjet për në festival kanë filluar, por nuk kishte dhënë asnjë informacion në lidhje me zgjedhjen e veshjes në mbrëmjen e madhe. E ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Në Kurthin e Piter Pan’, Jonida ka treguar se për veshjen e saj do të kujdeset stilisti i njohur shqiptar, Ardi Asllani. “Ekskluzivisht për ju sonte, do të zbuloj se për veshjen time do të kujdeset një djalë shqiptar i cili punon shumë bukur, sidomos veshjet etnike, Ardi Asllani”, është shprehur këngëtarja pasi është pyetur nga gazetarët e vegjël. Ardi Asllani është kostumografi dhe stilisti i preferuar i shumë yjeve shqiptarë dhe me siguri që do të realizojë një punë të shkëlqyer me Jonidën. Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që dyshja bashkëpunon, pasi bashkë kanë realizuar shumë projekte të suksesshme edhe më parë.