FLOR MUMAJESI NIS BASHKËJETESËN ME LIBERTA SPAHIUN NË PRISHTINË/ Lidhja me ish-missin që i shkoi keq kantautorit dhe rikthimi te gazetarja – AlpeGossip
FLOR MUMAJESI NIS BASHKËJETESËN ME LIBERTA SPAHIUN NË PRISHTINË/ Lidhja me ish-missin që i shkoi keq kantautorit dhe rikthimi te gazetarja

FLOR MUMAJESI NIS BASHKËJETESËN ME LIBERTA SPAHIUN NË PRISHTINË/ Lidhja me ish-missin që i shkoi keq kantautorit dhe rikthimi te gazetarja

Historia e Flor Mumajesit dhe Liberta Spahiut është ndër më të komentuarat në shtypin rozë prej vitesh. Çifti, që prej vitesh kanë një histori me ulje dhe ngritjet e veta, janë rikthyer së bashku. Do të duhej një video e shkëputur nga një dasmë për të konfirmuar atë që nga miqtë e afërt dihej. Kantautori është rikthyer në krah të Libertës, këtë herë për të konfirmuar dashurinë e tyre.

Megjithatë, moderatorja kosovare, mbrëmjen e djeshme në emision e saj “Prive” e ka mohuar këtë lajm. Në një kronikë përgatitur nga gazetarët, u tha se në fakt Flori dhe Liberta nuk ishin bashkë dhe se do të ishin ata të parët që do ta pranonin një fakt të tillë, nëse do të ishte e vërtet. Megjithatë edhe vite më parë, kur u përfol lidhja e tyre, Liberta mohoi gjithçka, duke folur për një miqësi mes tyre.

“Panorama Plus” ka mundur të mësojë nga miqtë e përbashkët se çifti ka nisur bashkëjetesën në vilën e Florit brenda kompleksit luksoz në Prishtinë.  Ishte pikërisht Liberta ajo që e shtyu artistin të merrte një shtëpi në Kosovë, ku edhe vite më parë u shpërngul.

Pas ndarjes së tyre, Flori e kalonte kohën mes Tiranës dhe Prishtinës, duke u larguar disi nga rutina e tij, por edhe te periudha e postndarjes. Madje teksa ishin të ndarë, bëhet me dije se ai nisi një lidhje edhe me një tjetër vajzë të njohur të showbizz-it. Ai dhe ish-missi kosovar u prezantuan nga miqtë e përbashkët dhe bashkë patën një histori të shkurtër.

Por duket se kjo tashmë i përket së shkuarës, duke e mbyllur pa shumë bujë dhe, më e rëndësishmja, pa vëmendjen e mediave. Javën e shkuar është konfirmuar edhe lidhja e dy personazheve, që u shfaqën në një video duke u puthur. Kaq mjaftoi që rrjeti të shpërthente në komente për ribashkimin e tyre. Këngëtari ka qenë i ftuar në një dasmë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me grupin e tij “Three Dots”, ku ndër të pranishmit në event ishte edhe Liberta.

Në videon e kapur nga të pranishmit e tjerë në dasmë, që bëri xhiron e rrjetit, shihet këngëtari që po këndon në mes të sallës, ndërsa Liberta Spahiu po bën një video me celularin e saj, ku në një moment Flori shkon pranë moderatores duke shkëmbyer një puthje.

Kaq mjaftoi që rrjeti të ndizej dhe të aludohej për një lidhje. Liberta ka realizuar një interviste virtuale me ndjekësit e saj në “Instastory”, ku mbizotërojnë pyetjet për Florin. Dikush i shkruan se çfarë u bë me të, dhe Liberta përgjigjet: “Rehat, shëndoshë, e mirë. Si molla ishte. Në vijë çdo gjë”. Ndërkohë një ndjekës tjetër shkruan: “Llafet po thonë se je në një lidhje me Flori Mumajesin”.

Këtij komenti, moderatorja i është përgjigjur duke kënduar këngën e Dafina Zeqirit “Llafe, llafe”. Kështu, përmes këtyre përgjigjeve, Liberta e ka lënë çdo gjë të pasqaruar, duke dhënë përgjigje tipike “VIP”- ash që as nuk konfirmojnë e as nuk mohojnë lajmet që qarkullojnë rreth tyre. Po ashtu, ajo ka publikuar edhe videon e famshme ku Flori i afrohet dhe e puth, por të filmuar nga celulari i saj. Ashtu si shihet puthja ka qenë vetëm në faqe, megjithatë kjo nuk i ka mbyllur zërat për ribashkimin e tyre.

Që pas ndarjes nga Elvana Gjata, emri i Flori Mumajesit është lakuar në media disa herë për lidhje të reja. Por vetëm ajo me Liberta Saphiun është rikthyer herë pas here. Duke njohur karakterin e tyre hermetik lidhur me jetën private, vështirë se në ditët në vijim, ndonjëri nga dy protagonistët do të konfirmojë diçka në lidhje me historinë e tyre të dashurisë.

POR SI NISI GJITHÇKA?

Ishte fundi i vitit 2017, kur në mediat rozë nisi të përflitej një lidhje mes Flori Mumajesit dhe Liberta Spahiut. Asokohe, artisti u shpërngul për të jetuar në Prishtinë dhe, ndonëse ai deklaroi se kjo lëvizje e tij lidhej me punën, u raportua se shkaku i vërtetë ishte Liberta. Mes llafeve, në rrjetet sociale qarkulloi një fotografi ku ata shfaqeshin të dy nën shoqërinë e njëritjetrit dhe bashkëpunëtorëve të Florit. Për shumë njerëz kjo foto shërbeu si një zyrtarizim i lidhjes, për të tjerë, ajo nuk pati asnjë nënkuptim. Më pas dyshja nuk i kurseu fotot e videot me njëri-tjetrin. Pas disa muajsh, moderatorja publikoi një video të Florit gjatë një evenimenti ku ishin të dy të pranishëm teksa ai këndonte këngën “Të dua”.

“JAM ME FAT QË TË KAM”

Një deklaratë e fortë e Florit disa muaj pas raportimeve se ishte në lidhje me Libertën, u duk se konfirmoi dyshimet. Në ditëlindjen e saj të 2018-ës, Liberta zgjodhi të festonte në një club ku performonte Flori Mumajesi. Nuk ka munguar një urim i përzemërt edhe nga ana e kantautorit në sy të të gjithëve e në mes të koncertit. “Gëzuar ditëlindjen dhe jam me fat që të kam pranë” tha atëherë ai, ndërkohë që Liberta është parë të emocionohet nga dedikimi. Mes aludimeve të shumta për këtë marrëdhënie, ishte vetë Liberta ajo që postoi një foto ku tregonte një unazë në gisht, që u tha se ishte dhuratë nga Flori. Por me kalimin e muajve, nuk u pa që Liberta ta mbante këtë unazë në gisht. Çdo ditë Liberta, bashkë me fotot në rrjetet sociale, shkruante statuse të koduara, ku shprehte gjendjen e saj shpirtërore. Ndërkohë, gjatë gjithë vitit 2018 ata nuk postuan asnjë foto bashkë, po ashtu as paparazz-ët nuk arritën t’i fotografonin çift apo në shoqërinë e njerëzve të tjerë në eventet e Prishtinës, duke nisur kështu një kapitull të ri: Flori dhe Liberta të ndarë!

DEKLARATAT E GJITHSECILIT PËR LIDHJEN

Por ndonëse zërat qarkulluan për një kohë të gjatë, dyshja u tregua tërësisht hermetike në lidhje me këtë çështje. Moderatorja e “Klan Kosova” i është shmangur gjithmonë të dhënit të një përgjigje konkrete kur pyetet për Flori Mumajesin. “Lajmet vijnë e ikin, por njerëzit mbesin”, tha ajo në një intervistë për “Mirage” në 2017. E muaj më vonë, kur e pyet se çfarë është Flori për ty në një intervistë për “Prive”, ajo tha: “Gjeni në atë çfarë bën”. Ajo iu shmang të gjitha pyetjeve lidhur me marrëdhëniet personale, ndërsa pranoi se po, mund të ishte një nuse edhe në Tiranë. “Pse jo?”, u përgjigj ajo.

RIBASHKIMI NË EKRAN NË 2020

As në 2019-ën rreth tyre nuk doli asnjë detaj i ri, ata nuk u shfaqën më bashkë dhe aludimet se janë ndarë u forcuan. Pas zërave për ndarje e lidhje të reja të Florit (Kejsi Tola, një thashethem jo shumë i besueshëm për Fifin, e më vonë videoja me Jonida Maliqin), në edicionin festiv të “Prive Reality” në fund të 2020-ës, dyshja u shfaq për herë të parë bashkë në ekran. Në emisionin e drejtuar nga Liberta, Flori u shfaq si i ftuar special. E ndonëse të gjithë prisnin që më në fund të merrnin vesh çfarë ka ndodhur mes tyre, dy protagonistët deklaruan: “Kemi shumë për të thënë, por nuk preferojmë!”. Takimet e tyre vijuan edhe më vonë, kur Liberta festoi ditëlindjen sërish, si në 2018-ën, në club-in ku këndonte Flori dhe ku mori edhe një buqetë gjigante me lule. “Babushi”, shkruante ajo, teksa publikoi foton e Florit duke kënduar. E pas kësaj, ata morën sërish një vit “pushim”, për t’u shfaqur në krahët e njëri-tjetrit vetëm së fundmi.