Provova për herë të parë krëhërin elektrik që po bën namin kudo dhe ja çfarë ndodhi – AlpeGossip
Provova për herë të parë krëhërin elektrik që po bën namin kudo dhe ja çfarë ndodhi

Provova për herë të parë krëhërin elektrik që po bën namin kudo dhe ja çfarë ndodhi

Nëse keni flokë kapriçozë që s’do ta ndajnë mendjen kurrë nëse janë të drejtë, kaçurrela apo me onde, me siguri kemi të njëjtin “hall”. Nuk di të them se sa pajisje kam provuar për stilimin e flokëve dhe gjithnjë përfundoj tek e njëjta metodë për drejtimin e shkurres që kam mbi kokë: Krëhër+tharëse.

Megjithatë, duke qenë se drejtimi i flokëve me tharëse është një proces jo vetëm i lodhshëm por edhe i gjatë, vendosa t’i jap një shans krëhërit të famshëm elektrik që prej kohësh po bën namin nëpër reklama. Për ju që ende nuk e njihni si produkt, krëhëri në fjalë pretendon të zëvendësojë piastrat duke ofruar një drejtim të flokëve shumë më të thjeshtë e të shpejtë, siç është krehja me një krëhër të zakonshëm. Vetëm se krëhëri elektrik, në bazën e tij çliron nxehtësi deri në 200 gradë celsius.

Prej vitesh kam krijuar zakonin e mirë që përpara blerjes së një produkti shikoj gjithnjë online vlerëesimet e blerësve të mëparshëm dhe shumë prej tyre shpreheshin se krëhëri elektrik ishte ideal për flokë të dendur e të pabindur. Ku është butoni “bli”? Shpejt! Me të ardhur në shtëpi, nxitova të bëj një dush (edhe pse e kisha bërë një atë mëngjes) vetëm e vetëm që të provoja sa më shpejt krëhërin.

Flokët, sigurisht duhen tharë fillimisht me tharëse dhe pasi vura dhe kremin për mbrojtje ndaj nxehtësisë, bëra gjithë ankth krehjen e parë, për të zbuluar se nuk ndodhi asgjë. Më ra pika! Fillova gjithë panik të lexoja udhëzimet e përdorimit dhe mesa duket ishte thjesht faji im. Temperatura ishte në vetëm 100 gradë dhe patjetër që nuk do të ndodhte asgjë. E ngrita në 190 gradë celsius dhe e provova përsëri dhe kësaj radhe, krëhëri i famshëm nisi të bënte efekt.

Mu deshën rreth 10 minuta për të përfunduar me të gjithë flokët dhe gjatë përdorimit mësova se ndryshe nga piastrat, krëhëri ishte më efektiv nëse e kaloje në tufa të mëdha flokësh. Megjithatë, mos u gënjeni nga reklamat ku modelet pas krehjes shfaqen me flokë presh të drejtë. Le të themi që rezultati është pak më shumë si më poshtë.

Ndaj nëse flokët e lëmuar e të drejtë alla Kim Kardashian janë qëllimi juaj, hiqeni krëhërin elektrik nga lista e gjërave për t’u blerë. Por nëse preferoni flokë me pamje të rregullt por disi më natyrale dhe që nuk kërkojnë shumë kohë për t’u stiluar, atëherë krëhëri elektik mund t’ju shërbejë më së miri.