FLORI NAZIFI DHE IRIS NEZIRI/ Dy zërat perfektë që i bashkoi një baladë dhe “Kënga Magjike” – AlpeGossip
FLORI NAZIFI DHE IRIS NEZIRI/ Dy zërat perfektë që i bashkoi një baladë dhe “Kënga Magjike”

FLORI NAZIFI DHE IRIS NEZIRI/ Dy zërat perfektë që i bashkoi një baladë dhe “Kënga Magjike”

“Fli në krahët e mi” titullohet balada më e re që u prezantua të dielën që lamë pas në ‘Kënga Magjike 2018’. Flori Nazifi u rikthye në festivalin e muzikës moderne pas një mungese 2-vjeçare, ndërsa Inis Neziri, bukuroshja me zërin potent mori pjesë për herë të parë, pas disa eksperiencave të hershme në festivale të tjera. Kënga me tekst të Klea Hutës dhe Alban Kondit dhe muzikë e orkestracion të Elgit Dodës rezultoi një sukses që në prezantimin e parë. Në një prononcim ekskluziv për revista ‘Who’ dy protagonistët kanë zbuluar disa detaje nga bashkëpunimi, por jo vetëm.

Për të treguar si nisi, Flori dhe Inisi rrëfejnë se ideja e bashkëpunimit mes tyre ishte e kompozitorit dhe kantautorit të njohur Elgit Doda. “Gjithçka nisi si një ‘demo’ për Florin dhe më pas Elgiti mendoi të bashkëngjiste një vokal femre. Më zgjodhi mua dhe ja ku jemi sot”,-shpjegon Inisi. Ndërsa Flori përveçse thekson që kompozitori i suksesshëm ka arritur të kombinojë dy zëra perfektë, nuk harron ta falenderojë për krijimin e kësaj balade, që siç ai vet e cilëson është shumë e ndjerë dhe e bukur.

Por përse zgjedhja e tyre ishte një baladë? Inisi ka zbuluar se ka qenë një dëshirë e hershme e saj që të këndonte një këngë të kësaj rryme, ndërsa Flori pavarësisht se pranon që këndon në disa rryma, tek baladat e gjen veten më mirë dhe ndihet shumë rehat.

Dy këngëtarët tregojnë se kjo këngë është projektuar që në fillim për t’u prezantuar në ‘Kënga Magjike 2018’ dhe për këtë ka një arsye. “Menduam që të sillnim një risi, një këngë të ndërtuar vetëm me piano dhe dy vokale”,-shprehet Inisi. Ndërsa për Florin që i ka provuar edhe më herët emocionet e skenës së madhe të ‘Këngës Magjike’, ky kompeticion është si një shtëpi që gjithmonë hap portat për promovimin e artistëve në mënyrë dinjitoze.

Inisi thekson se pjesëmarrja për herë të parë në festivalin e ‘Këngës Magjike’ pritet me emocion të madh, por edhe përgjegjësi. “Çdo skenë ka emocionin e saj. Duke qenë se ky spektakël ka dhe shikueshmëri tepër të lartë, përveç faktit që jam shumë e lumtur që do performoj aty, ndjej edhe përgjegjësi për të kënaqur dëgjuesit dhe mbështetësit tanë”,-tregon fituesja e ‘Gjeniut të vogël’.

Ndërsa pritshmëritë e dy këngëtarëve janë të njëjta. Kur vjen puna tek balada me të cilën u prezantuan, Flori dhe Inisi duan që të kenë një performancë të bukur ‘live’ dhe të përcjellin emocion tek dëgjuesit.