GDHENDJE E NJË HISTORIE/ Tatuazhet domethënës të Vip-ave shqiptarë – AlpeGossip
GDHENDJE E NJË HISTORIE/ Tatuazhet domethënës të Vip-ave shqiptarë

GDHENDJE E NJË HISTORIE/ Tatuazhet domethënës të Vip-ave shqiptarë

Fjala kyçe e lajmeve të javës që lamë pas, përpos “Shën Valentin” ishte “tatuazhe”.
Demi Lovato tërhoqi vëmendjen e gjithë botës për një tatuazh të bërë në shpinë që simbolizonte periudhën e vështirë që këngëtarja kaloi. Nga ana tjetër, Gjiko përjetësoi në pulpën e këmbës skicën e një portreti familjar me Elitën dhe Zërin, ndërsa në listën e “tatuazheve më të guximshëm” hyrja e re ishte Amber Rose, e cila gdhendi emrat e dy fëmijëve në ballë, ose siç do e thonim ne alla shqiptarshe “në lulë të ballit”.

Kaq mjaftoi që të na frymëzonte për të bërë një artikull me personazhë të njohur shqiptarë që kanë në trup një tatuazh domethënës. Sigurisht që të tillë ka plot, por ne menduam të listonim ato që mbartin një histori, një tatuazh simbol që ti nuk ua merr vesh kuptimin sapo i sheh, por të duhet një shpjegim nga pas.

Flori Mumajesi– Një shenjë volumi e mbyllur

Kur publikoi për herë të parë  tatuazhin në profilin e tij në Instagram, Flori shpjegoi asokohe edhe domethënien e veçantë: “Nuk e kam bërë rastësisht këtë tatuazh. Përkushtimi ndaj muzikës më ka kushtuar 70% të humbjes së dëgjimit nga veshi i majtë.”

Bes Kallaku– Valët zanore të fjalës “Të dua”

Aktori i humorit njihet si adhurues i artit të trupit dhe për dobësinë e tij për personazhe historike si At Zef Pllumi apo Gjergj Kastriot Skënderbeu. Por nëse për të tilla figura dihet kuptimi, disa valë zanore në krahun e tij të majtë ishin gjithmonë enigmatike. Deri kur, në një intërvistë të tre viteve më parë në emisionin “Tek unë” me këmbënguljen e prezantueses Arjola Shehu, Besi shpjegoi edhe domethënien: “Janë valët zanore kur Xhensila më thotë “Të dua”.

Klajdi Haruni- Valet zanore të fjalëve të babait

Të njëjtës ide i ka qëndruar edhe Klajdi Haruni, i cili ka shenjuar po ashtu në krah valët zanore të disa fjalëve përkëdhelëse me të cilat i drejtohet i ati. “Unë e dua muzikën, melodinë, por per mua s’ka melodi më të bukur se zëri yt. Te dua bab!”

Landi Hysi– Top basketbolli me numrin 23

Të njëjtin tatuazh e mbante në krah edhe miku edhe kolegu i tij, Doktor Flori. Për Florin tatuazhi kishte domethënie të veçantë: 23-shi ishte numri që mbante basketbollisti Michael Jordan, si edhe ditëlindja e vajzës së tij, Kaltrinës. Pas ndarjes nga jeta të këngëtarit, Landi Hysi bëri identik të njëtin tatuazh, në po të njëtin vend. Sikurse shpjegoi vetë ai, ky veprim e shfajesonte disi Landin nga premtimi që i kishte dhënë mikut të tij të ndjerë se një ditë do të ndiqnin nga afër një ndeshje të NBA-së.


Barbana Dini– Portreti i Ergi Dinit në një mikrofon

Këngëtarja ka gdhendur në krah imazhin e vëllait të ndjerë, këngëtarit 22-vjeçar i cili u nda nga jeta në nëntor të vitit 2016 pas një aksidenti automobilistik. Barbana e ka vendosur portretin e Ergit brenda një mikrofoni, duke simbolizuar dashurinë dhe talentin e tij në muzikë. “Për këtë kujtim, shumë domethënës për mua, që me art e ngjalli duke ma bërë pjesë të trupit vëllain tim Ergin.”


Orinda Huta – Tweety

Nëse keni qenë të kujdesshëm, duhet ta keni vënë re shumë kohë më parë Tweety-n në dorën e djathtë të Orindës. Dhe jo, këngëtarja nuk është e afeksionuar pas personazhit të filmave vizatimorë, domethënia është më e veçantë se aq. Në një intervistë “post dasmë”, tre vite më parë, Orinda shpjegoi se vetullat e Tweety-t në dorën e këngëtares janë ato të Turjan Hyskës. Ajo e kishte gdhendur tatuazhin që në fillimet e lidhjes së tyre dhe Tweety tani më ishte bërë simbol aq i rëndësishëm sa e përdori edhe si temë kryesore në festën e saj të beqarisë.


Klea Huta, Elgit Doda – King and the Queen

Çifti simpatik i cili së fundmi celebruan në martesë dashurinë e tyre, kanë të njëjtin tatuazh, por me shkronja të ndryshme. Elgiti ka bërë një K- simbol i King (mbret) në pjesën anësore të dorës, ndërsa Klea ka gdhendur një Q- simboli i Queen (mbretëreshë) në po të njëjtin vend. Mbani shënim ju që nuk e keni vendosur ende çfarë tatuazhi të realizoni me partnerin!


Alfio Rrotani – Zemër e vogël e kuqe

Kush i ka ndjekur nëpër rrjete sociale Fatmën dhe Alfion me siguri i ka tërhequr vëmendjen shprehja me të cilën ata i referohen njëri-tjetrit: “Zemër e vogël e kuqe”. Pikërisht simbolin e kësaj shprehjeje, në 2 vjetorin e lidhjes me Fatmën, shefi i kuzhinës vendosi ta përjetësojë përgjithmonë në trupin e tij, duke e gdhendur tatuazh. “Vazhdoj dhe mendoj që nuk ka fjalë aq të bukura për të të thënë sa shumë të dua! Prandaj vendosa të të kem në lëkurën time për të falenderuar për dy vitet më të bukura të jetës time.”


Bora Zemani – Grada e kolonelit; Buzët mamit

Tatuazhet dedikim për prindërit janë padyshim ato më specialët. I tillë është edhe simboli që Bora Zemani vendosi t’i bëjë dhuratë për ditëlindje të atit.
“Surpriza ime për babin! Grada e Kolonelit (grada e fundit që ai mbajti, në gati 30 vite punë si oficer aktiv i Forcave të Armatosura Shqiptare). Tani do të jetë në supin tim përjetë . Një tatuazh i vogël, me kuptim të madh për mua.”

Por Bora nuk është vetëm goca e babit. Pak muaj më vonë, moderatorja gdhendi në trup edhe buzët e së ëmës, duke shpjeguar edhe domethënien: “Si vajzë e përkëdhelur isha kudo pas mamit, duhej të shkoja kudo me mamin edhe vendi im i preferuar ishte prehëri i mamit tim. Kudo në dreka, darka, në shtëpi kur shihja televizion etj, duhej të rrija patjetër tek ajo dhe vendi i saj i preferuar për të më puthur ishte supi im. Dhe më thoni, ka kujtim më të bukur për një fëmijë sesa puthjet e mamit? Prandaj buzët e saj i bëra përjetë në trupin tim, pikërisht në vendin ku më ka puthur e më puth ajo gjithmonë (sepse i ulem akoma ndonjëherë në prehër).

 

Luana Vjollca– Një shqiponjë dy krenare

Luana Vjollca ka disa tatuazhë të vegjël në trupin e saj, por ai që bie më shpesh në sy është një shqiponjë dykrenare në gishtin e parafundit të dorës. Pesë vite më parë e ftuar në “6 ditë pa Ermalin”, në një intervistë me Mamaqin, moderatorja e “Shiko Kush Luan” tregoi edhe historinë që fshihet pas tij: “Shquhem që jam natyrë impulsive dhe kështu e kam gdhendur këtë tatuazh, pa e menduar gjatë, në 12 të natës, menjëherë pas ndeshjes Shqipëri-Serbi në Beograd.”


Anxhelina Hadërgjonaj– Dy diamantë

Anxhelina Hadërgjonaj ka tatuazh dy diamantë në pjesën e këmbëve, sipër thëmbrës. Kuptimin e tyre nuk do e kishim mësuar nëse nuk do e kishte shpjeguar vetë këngëtarja. Sikurse e publikoi edhe në llogarinë e saj në Instagram, 2 diamantët i dedikohen dy personave më të rëndësishëm të jetës së Anxhelinës, të ëmës Albërie Hadërgjonaj dhe motrës, Agnesës.


Roza Lati– Një qenush

Është e pamundur të bësh një artikull për tatuazhet dhe Roza Lati të mos jetë pjesë e listës. Moderatorja njihet për dashurinë ndaj artit të trupit, dhe sa here i premton të ëmës që s’do bëjë më, po aq herë bën një të ri. Rebelja e ekranit ka një roman me tatuazhe që për hir të së vërtetës i shkojnë shumë më natyrën e saj, por mbartin edhe një domethënie të veçantë. Më interesanti që në përzgjodhëm ishte figura e një qenushi të gdhendur në krah. Roza është një mbrojtëse e deklaruar e të drejtave të kafshëve dhe ky është simbol i dashurisë së saj të madhe për katër putroshët.

Aurela Gaçe- Emrat e vajzave me shkrimin e dorës së Grace

Në këtë artikull kemi përfshirë vetëm tatuazhet që vijnë në formën e një figure, jo ato me shkrime, të cilët janë më të zakonshëm. Por, tatuazhi i fundit i Aurela Gaçes(megjithëse shkrim) mund të jetë gjithçka përveçse i zakonshëm. Këngëtarja ka gdhendur në trup emrat e vajzave të shkruar me shkrim dore nga vajza e madhe, Grace. “Shkrimi i dorës së Grace, tani në dorën e mamit. Tatuazhi im, ideja ime.Grace, 7 vjeç. Abigail, 2 vjeç.” Ideja është vërtetë e Aurelës, por ju mund ta huazoni.

Mozzik dhe Getinjo-…
Okey, trupat e Mozzik dhe Getinjo janë në çdo cep për deshifrim, kështu që me siguri do i kushtojmë një artikull të tërë në të ardhmen./News31.al/