I PAFAJSHËM? Angela Martini rrëfehet për akuzat që rëndojnë mbi bashkëshortin e saj – AlpeGossip
I PAFAJSHËM? Angela Martini rrëfehet për akuzat që rëndojnë mbi bashkëshortin e saj

I PAFAJSHËM? Angela Martini rrëfehet për akuzat që rëndojnë mbi bashkëshortin e saj

Angela Martini ka dhënë së fundmi një intervistë për “Revista WHO”(lexo këtu), ku ndër të tjera ka folur për çështjen e bashkëshortit. Biznesmeni rumun iu dorëzua autoriteteve italiane para pak kohësh, pasi mbi të rëndonin një sërë akuzash.

Angela ka sqaruar se bashkëshorti i saj është i pafajshëm dhe historia që njohim, në fakt, rezulton të jetë krejt e anasjellta. Modelja ka deklaruar se organet përkatëse rumune janë fajtorët e vërtetë dhe se akuzat që rëndojnë mbi biznesmenin janë të pabaza. Më poshtë do të gjeni një pjesë të intervistës realizuar nga “Revista WHO”:

“Kam parë shumë komente në shtypin shqiptar, të kopjuara plotësisht nga shtypi rumun. Nuk kam dashur të flas përsëri për këtë temë, duke qenë se dhashë një deklaratë të gjatë verën e kaluar.

Por do ta sqaroj edhe njëherë gjithçka lidhur me këtë histori:

Bashkëshorti im është viktimë e sistemit gjyqësor rumun. Ai është totalisht i pafajshëm, ai nuk ka bërë asgjë nga ato që e akuzojnë, ata kanë abuzuar shumë, nuk e kanë respektuar ligjin rumun dhe të drejtat njerëzore europiane.

Është një situatë e çuditshme për një vend anëtar të Bashkimit Europian, siç është Rumania. Atje Shërbimi Sekret ka krijuar një linjë paralele që kryesisht kontrollon ilegalisht të gjitha pikat e rëndësishme të vendit: politikën, drejtësinë, shtypin dhe shumicën e bizneseve.

Çdo armik i interesave të tyre gjykohet dhe dënohet. Ata përdorin shtypin për të shkatërruar imazhin e njerëzve dhe urdhërojnë gjyqtarët të dënojnë armiqtë e tyre.

80% e biznesmenëve më të rëndësishëm rumunë janë nën hetim, në emër të “luftës kundër korrupsionit”.

Bashkëshorti im është një prej njerëzve të pakët në Rumani që refuzoi të njihte dënimin ilegal për të ashtuquajturin “bashkëpunim në abuzimin e shërbimeve”, për një biznes absolutisht të ligjshëm që ai krijoi 18 vite më parë!

Të gjithë avokatët që kanë studiuar çështjen e tij ishin absolutisht të shokuar. Bashkëshorti im ka 10 avokatë që merren më çështjen e tij, nga Rumania, Italia, Zvicra, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Pa përjashtim, ata kanë zbuluar shumë abuzime dhe dhunime të ligjit që gjyqtarët dhe prokurorët rumunë bënë në çështjen e tij.

Për ta bërë më të qartë në pak fjalë: bashkëshorti im është një njeri i lirë, ai kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në burg! Ai iu dorëzua autoriteteve italiane, sepse në këtë mënyrë ai iu bind ligjit dhe po zgjidh problemin e tij. Pasi kontrolluan dosjen dhe situatën e tij ligjore, gjyqtarët italianë e lanë të lirë. Ka akoma disa çështje pezull në Itali, Rumani, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat definitivisht do të zgjidhin situatën e tij. Lajmet që shtypi shqiptar kopjoi nga shtypi rumun janë lajme të rreme. Mos më humbni kohë të komentoj për to!”