Ledjon Zoi rrëfen “Kënaqësitë e tradhtisë”: Unë dhe ajo në skenë me përjetimet e… – AlpeGossip
Ledjon Zoi rrëfen “Kënaqësitë e tradhtisë”: Unë dhe ajo në skenë me përjetimet e…

Ledjon Zoi rrëfen “Kënaqësitë e tradhtisë”: Unë dhe ajo në skenë me përjetimet e…

“Kënaqësitë e tradhtisë” është shfaqja e tij e shtatëmbëdhjetë që e ngjit në skenën e teatrit, kryesisht në role protagonisti. Komedia e rusit Valentin Krasnogorov, me regji të Lorion Terezit vjen provokuese në reali-tetin shqiptar, një vënie skenike ku aktori Ledjon Zoi luan burrin e martuar që humb toruan, pasi dashuro-het me një vajzë në prag martese, Kristiana Dodajn. Për tradhtinë që luhet sipër një shtrati matrimonial dhe aventurat për të mbajtur të fshehtë marrëdhënien jashtë martese, Ledjoni rrëfehet për “Panorama Plus”.

“Kënaqësitë e tradhtisë” është vepër me tri akte e shkruar nga dramaturgu i njohur rus, Valentin Krasnogorov. Si një shkelës kurore në teatër, ke dalë në konkluzionin se ia vlen kënaqësia krahasuar me ankthin e tradhtisë?

“Dashuria është triumfi i imagjinatës mbi inteligjencën” thonë. Si e tillë, çdo triumf potencialisht mund t’ia vlejë. Nuk e di në qoftë se ekziston kënaqësi pa humbje, por humbjet, ankthi, konkretisht, janë më të ëmbla në kuadër të kënaqësive që të ofron dashuria.

Në tri historitë që janë ideuar si akte, në fillim je dashnori i martuar i të dashurës që po martohet, ku marrja e një vendimi i jep dinamikë ngjarjes. Ç’ndodh në psikologjinë e mashkullit kur dëshiron gruan e tjetrit?

Po e nis me një batutë të aktit të parë, ku them: “Gjithmonë kam menduar se është budallallëk të jesh xheloz, si për burrin dhe për gruan”. Në pozitat e sigurta e të pacënuara të botëkuptimit mashkullor, ende para martesës së dashnores, praktikisht, nuk ka arsye xhelozie. Kjo në logjikën aspak të komplikuar mashkullore, mendoj se do të zgjaste, por aktet e tjera tregojnë të kundërtën. Sa më shumë zhytet personazhi im në kënaqësitë e tradhtisë, aq me shumë e bren xhelozia, që tashmë po i zbulonte tërë thellësinë e dashurisë që kultivonte për të.

Nën lëkurën e personazhit ndihesh më shumë burri komik apo dramatik?

Personazh thellësisht dramatik, për shkak të përplasjes së brendshme të ndjenjave që e trazojnë dhe shkaktojnë, edhe skena komike rreth tij, nga humbja e kontrollit apo papërgjegjshmërisë mashkullore që herë pas here tregon. Vetëm me fytyrë palaçoje i del para situatave të krijuara, jo nga shijimi i kënaqësive të tradhtisë, por më shumë nga dramat e vogla e të mëdha që shkaktojnë secila prej tyre.

Nga të gjitha peripecitë për t’u takuar me të dashurën e fshehtë, cilën do të veçoje atë që të bën të provosh vërtet adrenalinën?

Do të veçoja aktin e dytë në skenë, ku ata kanë arritur të bëhen një. Thurja e plan-eve dhe sakrificat e përbashkëta për t’ia arritur, s’janë aspak të këndshme, të paktën krahasuar me triumfin e këtyre sakrificave në arritjen e qëllimit për të qenë bashkë për disa momente, legjitimojnë këto të fundit dhe shumëfishojnë kënaqësinë e adrenalinës.

E gjithë kjo shfaqje për ty është lojë dashurie, apo rënie në grackën e dashurisë?

Ai dhe ajo janë dy personazhe të zakonshëm, por të sinqertë, të paktën në dashuri. Vepra tregon se arsyeja e vërtetë e që personazhet tradhtojnë, është veç dashuria. Tradhtia nuk është qëllimi në vetvete, por mjeti që u duhet të përdorin për të për- etuar ato momente të dashurisë së tyre. Si e tillë, është një lojë e pastër tradhtie.

A mund rendisësh disa kënaqësi të tradhtisë dhe disa situata që e shndërrojnë aventurën në torturë?

Jo, nuk mundem. Realisht, as vetë personazhi nuk do të mund të ishte në gjendje. Gjithçka është një përjetim spontan, që ngjarja sjell ngjarjen.

Të zhveshur në intimitetin e shtratit. Cila është kënaqësia e puthjes skenike?

Lëvizjet skenike, batutat skenike, apo momentet më intime, nuk përbëjnë diferencë për aktorët. Të gjitha janë detyra skenike, ashtu si dhe puthja. Besoj se e keni dëgjuar dhe më parë këtë!

Dukeni si çift i vërtetë me aktoren Kristiana Dodaj. Mbi ç’kritere ju bëri çift regjisori Lorin Terezi?

Realisht për këtë pjesë nuk iu desh shumë imagjinatë Lorinit, pasi me Kristianën kemi bashkëpunuar me sukses dhe më parë. Recetat e suksesshme nuk ka pse të ndryshojnë.

Shfaqja sjell historinë e një çifti dashnorësh rusë, që tradhtojnë në mes të Moskës. Ku ndryshojnë ata nga çifti i shqiptarëve që tradhtojnë në mes të Tiranës, pra ju?

Njerëzit, pavarësisht shpërndarjes gjeografike, dashurojnë njësoj.

Meqë regjisori u shpreh se në këtë shfaqje merret me njeriun, pra, psikologjinë e tij, mund të na shtjellosh ndërgjegjen e turbulluar të një burri shqiptar që tradhton gruan?

Ndërgjegjja, për më tepër ajo e turbulluara në një kontekst të tillë, është shumë individuale. Për më shumë, nuk mund të vendos veten në pozita të tilla, për sa kohë nuk jam i martuar.

Në këtë vepër abstragohet mbi dashurinë, po a është tërheqja seksuale vendimtare në një marrëdhënie?

Vepra qartazi i mëshon dashurisë. Opinioni im personal është po në këtë frekuencë, për sa kohë dashuroj njeriun më shumë se dashurinë.

Jeni ju një nga çiftet e dashnorëve në piacën e Tiranës, që mbajnë martesat e tyre gjallë thjesht për in-erci? Keni marrë si shembull ndonjë çift konkret që e dini vetëm ju?

Kemi konsideruar përjetimet e një prej shumë çifteve të tillë që na rrethojnë. Kush na njeh nga afër, mund të hamendësojë.

PANORAMA PLUS