Së fundmi po dëgjojmë shumë rreth ndryshimeve që do të ndodhin nëpër televizione dhe qershori është gjithnjë i mbushur me lajme që kanë lidhje të tilla duke qenë se gjatë verës bëhen të gjitha përgatitjet për nisjen e një sezoni të ri në shtator më të freskët e më të mirë. Shohim moderatorë që po lënë televizionet që ndoshta kemi menduar se nuk do të shkëpputeshin kurrë që aty.
Dy nga televizionet që po prodhojnë më shumë lajme lidhur me spostimet dhe ndryshimet e mundshme në programacion janë pikërisht Tv Klan dhe Top Channel. Duket se dy televizionet “Tv Klan” dhe “Top Channel” janë duke marrë më të mirën e “Vizion Plus”.
Por çfarë pritet të shohim në shtator!
Lëvizja e parë ishte e Turjan Hyskës, edhe pse u kundërshtua shumë duke thënë se ishin lajme të pavërteta, Turi më në fund e pranoi largimin e tij nga Vizion Plus. Pas 14 vitesh punë në “Vizion Plus”, Turjan Hyska vendosi të largohej për të nisur një rrugëtim të ri në karrierën e tij. Në një intervistë për “Tirana Post”, Turi ka treguar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe në cilin televizion do ta shikojmë. Ai ka treguar se në televizionin “Klan” do të nisë dy projekte të reja njëri që do të jetë një riprodhim i “Apartamenti 2XL” dhe tjetrin nuk ka dashur ta bëjë publik.
Me ndryshimet e reja flitet se “Apartamenti 2XL” që tashmë do të quhet “Duplex” dhe do të transmetohet çdo të shtunë prej orës 20:00-22:00 në Tv Klan. “Duplex” do të spostojë “Xing me Ermalin” për më vonë, ose për Ermal Mamaqin do të jetë rezervuar një tjetër ditë tjetër në programacionin e Tv Klan.
Thuhet se ky ndryshim ka ndodhur sepse gjatë sezonit të fundit stafi i Tv Klan nuk ka qenë shumë i kënaqur nga shifrat e shikueshmërisë së Mamaqit.
Jonida Shehu është një tjetër moderatore e cila u fol se së fundmi do të prezontonte një emision në “Klan”. Por duket se as kjo nuk doli e vërtetë. Disa burime, kanë treguar se në fakt prezantuesja e këtij emisioni do të jetë ish-banorja e ‘Big Brother’, Alba Çobaj. Më parë mendohej se Alba do të ishte thjesht gazetare në këtë emision, por tani mesa duket ka marrë një rol të ri.
Gjithashtu është mësuar se emisioni do të transmetohet nga ora 10-12 paradite.
Klea Huta prej kohësh nuk ka prezantuar asnjë emision të ri televiziv dhe i është përkushtuar tërësisht muzikës. Mirëpo mesa duket moderatorja e njohur do të rikthehet shumë shpejt në ekran dhe këtë herë jo në televizionin Klan, por në Top Channel. Klea do të prezantojë një emision të ri në Top Channel i cili do ti dedikohet personazheve shqiptarë që janë bërë të njohur jashtë vendit. Në fillim u përfol se këtë emision do e prezantonte motra e këngëtarit Dren Abazi, Rina, por siç duket Top Channel ja ka besuar Kleas.
Në vazhdimësinë e ndryshimeve të sezonit të ri televiziv duket se do të kemi edhe një rikthim të aktorit të njohur të humorit Agron Llakaj në televizionin “Top Channel”.
Marrë shkas nga një takim të bërë mes Agronit dhe Drejtorit të “Top Channel” Ben Blushi.
Ndërkohë që Agron Llakaj ka reaguar rreth këtij lajmi duke thënë se: “Një kafe, miqësi e vjetër, më bëri një propozim po ideja është kështu që mund të iki nga Vizioni mund të mos iki nga Vizioni. Jam duke vlerësuar propozimin”. Gjithsesi pritet të shohim se çfarë do të ndodhi në shtator.
Edhe dy moderatorët Alfio dhe Indriti që u bënë të famshëm në ‘Master Chef Albania’ që transmetohej në Top Channel lëvizën drejt Klan.
Alfio e ka konfirmuar lëvizjen e tij dhe Indritit në Klan, dhe tha se bëhet fjalë për një projekt veror me autobus kuzhinë, që do te lëvizë nëpër Shqipëri dhe do gatuajnë ushqime tradicionale të zonave të ndryshme. Emisioni do të jetë në formën e një dokumentari.
Së fundmi burime për mediat tregojnë se në Top Channel do të ketë dhe një lëvizje tjetër përsa i përket emisionit të pasdites.
Juli Kristafi do të zëvendësohet me Anila Çelën, gazetares që prej vitesh e kemi parë në “Vizion Plus” dhe aktualisht drejton “Vizionin e Pasdites”.
Ndërkohë moderatorët e Klan, si Alketa, Ermali, Arian Çani, Blendi Fevziu, Ardit Gjebrea do të vazhdojnë me emisionet e tyre të përhershme dhe sezonin e ardhshëm. Në Top Channel ka zëra dhe se Luana do të prezantojë Big Brother, por moderatorja është e pavendosur se moderimin e kujt emisioni do të bëjë, të “Shiko kush Luan” apo të “Big Brother”.
Gjithsesi deri tani përveç lëvizjes së Turit në Klan, të tjerat nuk janë konfirmuar nga vetë moderatorët drejtpërdjet, por vetëm nga “burimet për mediat”. Se çfarë do të ndodhë në të vërtetë do ta shohim vetëm në shtator. Por për një gjë jemi të sigurt: Do të ketë akoma shumë ndryshime të tjera…
Përgatiti AlpeNews.al