Mes kancerit dhe varfërisë së tejskajshme, apeli i Zef Tuçit në “Shqiptarët për shqiptarët”: Vini dorën në zemër - AlpeGossip
Mes kancerit dhe varfërisë së tejskajshme, apeli i Zef Tuçit në “Shqiptarët për shqiptarët”: Vini dorën në zemër

Mes kancerit dhe varfërisë së tejskajshme, apeli i Zef Tuçit në “Shqiptarët për shqiptarët”: Vini dorën në zemër

Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24” udhëtoi në Rrëshen në banesën e Zef Tuçit, për t’i ardhur në ndihmë atij dhe familjarëve të tij. Në një godinë gjysmë të rrënuar që ai e quan shtëpi, Zefi jeton mes sëmundjes së rëndë dhe varfërisë. Kanceri agresiv e ka tretur në këtë shtrat. Bashkë me trupin që i tretet çdo ditë e më tepër, po i ikën edhe shpirti.

Përpos sëmundjes, Zefin e torturon edhe varfëria, pasi nuk ka para për të blerë ilaçe. Madje edhe këto fjalë para kamerës sonë i thotë me vështirësi, pasi herë pas herë bërtet nga dhimbjet.

“Unë ilaçet herë i marr, herë nuk i marr, se nuk kam lekë”, thotë Zefi me zërin që i dridhet.

Por përpos pamundësisë dhe kushteve të vështira, Zefi ka shpresë se një ditë do të shërohet. E mban shpirtin gjallë me shpresë se një ditë dikush ta kujtojë ndërsa gjen një grimcë fuqie për të përplasur me indinjatë duart kur thotë “jam me tre fëmijë, jemi 5 vetë pa asnjë të ardhur”.

Apelin për ndihmë e përsërit edhe bashkëshortja e tij, Marta, e cila me dorë në zemër kërkon ndihmën e shqiptarëve për t’i nxjerrë, siç thotë vetë ajo, nga kjo skëterrë.

“Jemi një familje e këputur, kemi nevojë për çdo gjë. Ne jemi të mbaruar. Kush të mundet ta vërë dorën në zemër. Lekët e pensionit të Zefit nuk mjaftojnë për të mbajtur 5 frymë me bukë”, thotë ajo.

Menjëherë pas publikimit të lajmit në Gazetën Shqiptare, qindra shqiptarë telefonuan në redaksinë e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”. Ata duan ta ndihmojnë Zefin, që vuan jo vetëm sëmundjen, por edhe varfërinë e tejskajshme.

Banesa ku ata jetojnë sot, nuk i përket familjes Tuçi. Ata kërkojnë një banesë ku familja të jetojë me dinjitet, dhe ku Zefi të kalojë qetësisht ditët e sëmundjes së tij të rëndë, ndërsa fëmijët të kenë mundësi të gëzojnë e mësojnë si bashkëmoshatarët e tyre. Një banesë që të ndriçohet me dritë elektrike që ata ta quajnë “shtëpinë e tyre”

Elvis Naçi bën i bën thirrje gjithë shqiptarëve të kontribuojnë për Zefin dhe familjen e tij.

“Ne do të jemi pranë tyre, do t’i sigurojmë një rrogë mujore”, u shpreh Naçi.