Reality Show “Doktor Plastik” këtë të shtunë solli në ekran ndryshimin e 24-vjeçares nga Durrësi, Diostela Koljaka, e cila kreu ndërhyrjet kirurgjike të rinoseptoplastikës dhe mentoplastikës.
Ajo është diplomuar në degën frëngjisht pranë Universitetit të Tiranës, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe e pëlqen profesionin e saj të mësueses.
“Megjithatë nuk e shoh veten time në të ardhmen me këtë profesion. Do preferoja marrëdhënien me publikun ose përkthim në të ardhmen pse jo pasi gjuhën frënge unë e kam studiuar për shumë vite dhe më pëlqen shumë”, tha Koljaka.
E reja foli edhe për momentin e parë që kishte vendosur të kryente një ndërhyrje estetike.
“Momenti i parë që vendosa të bëj një operacion në hundë ishte te dentisti, bëhej fjalë vetëm për një zgjatim të buzës së sipërme në mënyrë që edhe buzëqeshja të ishte sa më perfekte. Duke kërkuar në internet, shoh foto të ndryshimit të mjekrës. Aty ishte hera e parë që unë shihja punime të tilla. Ky operacion nuk është edhe aq i përhapur. Në momentin që e pashë fillova të interesohesha për klinika konkrete dhe u drejtova te klinika Da Vinçi. Aty pastaj pas konsultave, takimeve që pata, vendosa që ta kryeja ndërhyrjen. Hunda erdhi më pas si ide për një përmirësim të profilit dhe një vendim që e mora papritur por që besoj se ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë…Kam pasur mbështetjen e gjithë familjes por personi që më ka mbështetur më shumë ishtë motra. Paragjykimet ekzistojnë, ndoshta edhe në rastin tim mund të paragjykohem mbetet për t’u parë, por përderisa unë kam mbështetjen e personave më të rëndësishëm nuk besoj se do më interesojnë apo prishin punë personat e tjerë që mund të më dalin kundër”, tha Koljaka.
Mamaja e saj tregoi se Diostela i kishte treguar për ndërhyrjen që kishte dëshirë të bënte, por ndoshta s’ka qenë koha e përshtatshme. “Por me sa duket tani ka ardhur koha dhe dëshirën e Diostelës do ta realizojmë. Unë në fakt u ndjeva pak keq si çdo nënë pavarësisht se nuk ia shpreha Diostelës. Por duke menduar rezultatin i jap Diostelës kurajo”, tha ajo.
24-vjeçarja tha se “momentet e para pasi dola nga operacioni, normalisht ishin të vështira, më shumë për sa i përket pjesës së hundës nuk merrja dot frymë, duke pasur edhe tamponët. Ditën e tretë bëra heqjen e tamponëve, fillova të merrja frymë, ushqehesha më mirë. Kur hoqa fashot nuk po u besoja dot syve. Rezultati ishte mahnitës. Stafi i klinikës ka bërë një punë të jashtëzakonshme.”