I ftuari i parë për këtë javë në “Dola te Ola” ishte një nga aktorët më të dashur për publikun shqiptar, Gazmend Paja.
Rrëfimin e nisi duke treguar historinë e veçantë të emrit të tij. Gazi tha se në vitin ’78 kur ai ka lindur, babai i tij Luftar Paja ka qenë në një film me të madhin Kadri Roshi, të cilin e xhironin në qytetin e Korçës. Ai tregoi se babai i tij shkoi në Fier ku ata jetonin dhe i vuri emrin Spartak. Pas kësaj u kthye sërish në Korçë, ku Kadri Roshi e pyeti për emrin e djalit. Atij nuk i pëlqeu emri Spartak dhe i kërkoi Luftarit ta quante djalin Gazmend që të kishte gjithë jetën edhe gaz edhe mend.
Më tej Gazi rrëfeu për fëmijërinë e tij dhe tregoi se në moshën 1-vjeçare ishte shpërngulur në shtëpinë e tezes në Patos. Ai tha se i ati ishte shumë i angazhuar me shfaqje dhe filma, ndaj tezja e tij i kishte ardhur në ndihmë të motrës. Gazi ka qëndruar për rreth 4-5 vite në shtëpinë e tezes, por e ëma pothuaj e vizitonte çdo ditë.
Kur në studio u shfaq fotografia e motrës, aktori tha se ka një marrëdhënie fantastike me të dhe se janë shumë të lidhur. Ai tha se ajo është motra e madhe dhe se kanë 11 vite diferencë. “Jemi si shokë, ajo është shumë me këmbë në tokë, shumë e dashur, e dua shumë”, tha ai ndër të tjera.