I ftuar në “Historia Ime” ditën e djeshme, Bojken Lako ka folur për një periudhë të errët të jetës së tij, duke bërë një rrëfim që jo çdokush do kishte guximin ta bënte. Varësia nga lëndët narkotike ka qenë tema, për të cilën Lako ka patur një mesazh për të gjithë ata që nuk dëshirojnë më të jenë përdorues.
Bojkeni ka treguar se në vitin 2004 është shkëputur nga droga, ashtu sikurse ka rrëfyer se prej një viti tashmë nuk konsumon më as alkool. Vendimi për të hequr dorë nga lëndët narkotike ka ardhur pasi vetë artisti kishte kuptuar se pasojat që vinin pas ishin shumë të rënda. “Shumicën e kohës nuk isha i kthjellët në mendime”, ka theksuar ai.
“Kam shumë miq dhe shokë që kanë dalë nga kjo situatë, por kam dhe shumë të tjerë që nuk kanë dalë dot. Ajo është pak si lojë, unë kam qenë në Amerikë në vitet 2000, ku për disa nga stilmulantët e ndryshëm nuk duhet ta provosh kurrë sepse patjetër që krijohet varësi. Varësia krijohet në forma të ndryshme. Megjithatë ata që më njohin e dinë se kanë qenë dhe vitet e para dhe ajo pjesa e abuzimit lidhet dhe me modën, ose si brezi i ndryshimit të sistemeve, asaj lirisë që na ka munguar deri në moshën 15 vjeç, se aq kam qenë kur ka ndryshuar sistemi. Ishte dhe ajo periudha e adoleshencës që nuk i shpëtoje dot asaj gjëje”, ka qenë ky rrëfimi i hapur i Bojkenit.