PAS INTERVISTËS NË “DANCE WITH ME”/ Paola Perego kryqëzohet nga mediat italiane – AlpeGossip
PAS INTERVISTËS NË “DANCE WITH ME”/ Paola Perego kryqëzohet nga mediat italiane

PAS INTERVISTËS NË “DANCE WITH ME”/ Paola Perego kryqëzohet nga mediat italiane

Prezantuesja italiane Paola Perego ishte e ftuara speciale mbrëmjen e së hënës në finalen e spektaklit “Dance With Me” në televizionin “Klan”. Për 40 minuta, moderatorja Alketa Vejsiu zhvilloi një intervistë shumë interesante me Peregon, e cila respektoi shikuesit duke folur edhe disa fjalë shqip në krye të intervistës. E zonja e shtëpisë nuk ngurroi t’i kërkonte edhe mendimin për disa nga kolegët e njohur italianë dhe përgjigjet duket se janë keqinterpretuar në vendin fqinj, ku gazetarët i kanë cilësuar si “kunja” përgjigjet e Peregos për Barbara D’Urso-n.

 

“Perego u pyet edhe për gjykimin e saj për disa nga kolegët, duke nisur nga Raffaella Carra. ‘Na shohin në Itali? Atëherë ikonë’. Maria De Filippi? ‘Vijojnë të na shohin në Itali eh! E zonja, shumë e zonja’. Simona Ventura? ‘Fantastike. Por po të na shohin të gjithë në Itali do të them se janë shumë të talentuar’. D’Urso? ‘Duhet të ta them nga zemra? Shumë profesioniste, por nuk më pëlqen programi me të cilin merret tani, por është shumë profesioniste.’ Michelle Hunziker? ‘ Është e ftohtë si një akullore’, tha në veshin e Alketës, por kjo e fundit e zbuloi edhe për audiencën. ‘Por mos e thuaj me zë të lartë, pastaj më përzejnë nga Italia.” – shkruan media italiane “Dagospia” , duke pasqyruar intervistën.

Madje, duke njohur rivalitetin e madh mes dy moderatoreve Paola Perego dhe Barbara D’Urso, media italiane shprehet se Perego dha një mesazh shumë thumbues për kolegen e saj, me të cilën prej vitit 2009 nuk flet më.

“Paola kishte mësuar edhe fjalën zemër, por refuzoi ta thoshte në ekran kur këtë e vuri në dukje moderatorja Alketa Vejsiu. ‘Ah, na shohin në Itali? Sepse është një kolege tjetër e imja që e bën këtë punën e zemrës atje, ndërsa unë kam diçka tjetër. Në Itali, nga zemra, zemra .. e thotë vetëm një person’. Sigurisht që e qartë sikur dielli, kjo deklaratë ishte për Barbara d’Urso-n” – vijon shkrimi.

Por moderatorja italiane Paola Perego nuk ka qëndruar aspak e heshtur për mënyrën sesi u përkthye intevista e saj në Itali dhe në një postim në “Instagram” i sugjeron gazetarëve që të marrin një përkthyes të aftë herën tjetër.

“Ishte një intervistë e bukur në ‘Dance Wth Me Albania’, ku zhvilluam edhe një lojë në lidhje me prezantuesit italiane që kanë argëtuar edhe publikun shqiptar, që u përkthye gjatë transmetimit LIVE. Duke parë polemikat e panevojshme, më duket se disa gazetarëve italianë, i mungon një përkthyes i zoti” – shkruan në një postim në “Insta Story” prezantuesja italiane Paola Perego.

Përgjatë intervistës, Paola hodhi edhe idenë që të niste një spektakël në Shqipëri, për shkak të popullaritetit që ka. Moderatorja dukej se ishte magjepsur jo vetëm nga shikuesit shqiptarë, por edhe natyra e bukur e vendit tonë.