PAS RESTAURIMIT NË PAZARIN E GJIROKASTRËS/ Ministria e Kulturës bënë Butrintin në plan menaxhimi (FOTO) – AlpeGossip
PAS RESTAURIMIT NË PAZARIN E GJIROKASTRËS/ Ministria e Kulturës bënë Butrintin në plan menaxhimi (FOTO)

PAS RESTAURIMIT NË PAZARIN E GJIROKASTRËS/ Ministria e Kulturës bënë Butrintin në plan menaxhimi (FOTO)

Pas suksesit me restaurimin e Pazarit Historik të Gjirokastrës, nis një tjetër bashkëpunim i rëndësishëm mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit Shqiptaro- Amerikan të Zhvillimit në fushën e trashëgimisë kulturore. Parku Kombëtar i Butrinit do të ketë brenda pranverës së vitit tjetër Planin e Integruar të Menaxhimit. Sot është bërë prezantimi i projektit dhe nënshkrimi i kontratës mes AADF-së dhe studios britanike të përzgjedhur për realizimin e planit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro theksoi se përpara nisjes së punës për ndërtimin e planit, ishte domosdoshmëri pasja e një kornize ligjore të konsoliduar, çka u konkretizua në maj të këtij viti kur Parlamenti miratoi ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ligj për të cilin asistoi gjithashtu edhe AADF-ja.

“Hartimi i këtij plani është një përgjegjësi e madhe. Dhe dua që studioja të jetë e ndërgjegjshme për këtë, ashtu sikurse dua ta siguroj se jemi bashkë në këtë etapë të re të zhvillimit të Trashëgimisë Kulturore. Unë besoj se me Fondacionin po nisim një sfidë të re, shumë të bukur, por që tejkalon kufijtë e vendit, sfidën e menaxhimit të ri të një Trashëgimie Botërore. Gjithashtu ky është një moment për t’i dhënë me qetësi përgjigje, disa pyetjeve, dilemave ose edhe sulmeve, po të doni që janë bërë rreth Butrintit”, tha Kumbaro, duke theksuar gjithashtu se e gjithë puna përgatitore për planin është bërë në komunikim të vazhdueshëm me UNESCO-n.

Sipas ministres së Kulturës, Plani i ri Menaxhimit të Integruar të Butrinit do të adresojë si duhet të gjitha sfidat e kohës me të cilat përballet ky xhevahir i kurorës së trashëgimisë tonë kulturore. Kujtojmë këtu që Butrinti ishte siti i parë shqiptar që u pranua në UNESCO në vitin 1992. Plani i fundit i menaxhimit të tij daton në vitin 2003, por sot ai plan nuk i përgjigjet dot nevojave të kohës, prandaj hartimi i një të riu ishte domosdoshmëri. Numri i vizitorëve në Butrint vetëm gjatë nëntë muajve të këtij viti është rreth 200 mijë persona, ndërsa në vitin 2013 përllogaritej në rreth 80 mijë persona.