Tre ditë më parë Patris Berisha dhe Tuna, festuan 2-vjetorin e djalit të tyre Tian. Në festë ishin të pranishëm familjarë dhe të afërm të tyre, por Robert Berisha duket se ka munguar sërish. I ftuar në emisionin “1 kafe prej shpisë”, këngëtari ka zbuluar arsyen e mungesës së tij.
Roberti ka treguar se ai nuk mund të ishte i pranishëm, për shkak të angazhimit me “Netët e klipit shqiptar”. Ai tha se ishte i ftuar në event, por as atje nuk mundi të qëndronte, sepse pak para nisjes babai i tij do të kryente një operacion në zemër. Roberti rrëfeu se pasi mori lajmin për operacionin e të atit u nis menjëherë drejt Kosovës për t’i qëndruar pranë. Megjithatë në ditën e lindjes së Tian, Roberti nuk ngurroi t’i shprehte dashurinë vogëlushit nëpërmjet një urimi special në rrjete sociale. Kujtojmë se pak kohë më parë në të gjitha mediat bëri bujë një deklaratë e Robert Berishës, ku ai u shpreh se me Tunën nuk kishte marrëdhënie të mirë dhe për shkak të saj nuk shkonte në asnjë festë familjare. Megjithatë kohët e fundit është vënë re se raportet mes tyre kanë ndryshuar, sepse askush nga dy palët nuk ka folur më në lidhje me këtë çështje.