Dojna Mema postoi foton e pikturës “L’origine du monde” të Gustave Courbet dhe kaq mjaftoi që moderatorja të përballej me një realitet ndryshe në rrjetet sociale. Komentet fyese, negative, ku mbizotëronte fjalori banal ishin nga më të shumtat, megjithatë kjo nuk e nxiti Dojnën në asnjë moment që të fshinte postimin nga profili i saj.
Përgjigja e moderatores ishte pikërisht publikimi i këtyre komenteve pa censurë, duke shtyrë kështu që shumë vajza (veçanërisht) ta mbështesnin dhe përkrahnin Dojnën. Një reagim i fortë ka ardhur dhe nga Vlashent Sata, i cili prej shumë vitesh ushtron profesionin e tij si muzikant në Francë.
“Për vajzën që uroj të jetë më e lirë për të mbështetur vajzat! Për vajzën e cila do të edukojë nesër djem! Për të gjithë ato që heshtin nga droja se…! Për më shumë art e më pak “fasada”! Për ato që nuk janë ndierë kurrë të lira! Për vajzën që do të rritet nesër e qeshur! Për mrekullinë që vetëm ajo mund t’i japë botës! Për vajzën më të fortë e më të vërtetë që kam njohur! Me Dojnën”, ka shkruar Vlashenti, duke dhënë gjithë mbështetjen e mundshme për fushatën virtuale që nisën pikërisht ato, vajzat që përkrahën moderatoren në rrjet.
Një mesazh i fortë ky i Vlashentit, që vjen si një ‘shuplakë’ e dytë për realitetin e trishtë që përfaqëson një pjesë të mirë të shoqërisë shqiptare.