Përmes një letre të hapur drejtuar shefes së financave, Ruth Porat, punonjësit kërkojë që Google të hartojë një plan mbi ndryshimet klimatike. Porat drejton Alphabet – konglomerat shumëkombësh amerikan, që u krijua përmes ristrukturimit të Google më 2015-n dhe u bë kompania mëmë e Google-it dhe disa ish-filialeve të tjera të kompanisë.
Në kërkesën e tyre, sipas CNN, punonjësit e Google kërkojnë që deri në vitin 2030 të ketë zero emetime, të ketë fonde për zhvillimin e planeve strategjike, të merren masa ndaj politikanëve dhe jo vetëm, të cilët mohojnë ndryshimet klimatike.
Letra e përpiluar nga grupi që u vetëquajt Punonjësit e Google për Ndryshimet Klimatike, u nënshkrua nga më shumë se 1100 anëtarë të kompanisë.
Në të shkruhet se Porat “ka nivelin më të lartë të përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për ndryshimet e klimës” me “mundësi për të qenë e pranishme në të gjitha operacionet e kompanisë”.
Nuk është hera e parë që punonjësit e Google marrin pjesë në çështje me rëndësi siç është ndryshimi i klimës. Një vit më parë, ata u larguan nga zyrat si një shenjë proteste ndaj shqyrtimit të ngacmimeve seksuale.
Po kështu qindra të tjerë morën pjesë në protestën e 20 shtatorit para Samitit të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Nisma të ngjashme kanë marrë edhe punonjësit e Microsoft dhe Amazon. Pas presionit të këtyre të fundit, CEO Jeff Bezos njoftoi në fund të shtatorit se po shqyrton një plan klimatik, të cilin punëtorët e cilësuan si “një fitore të madhe”, por “të pamjaftueshme”.
Google nuk pranoi të komentojë, por burime për CNN Business u shprehën se kompania po shqyrton kërkesat.