Tenori i famshëm Saimir Pirgu ka njoftuar në faqen e tij në Facebook se nuk mund të jetë pjesë e operetës “Die Fledermaus” për shkak të një bronkiti akut.
Momentalisht i ndodhur në Tokyo për Gala Koncertin “Bunka Kaikan” Main Hall, Pirgu është ndaluar rreptësisht nga mjekët japonezë të udhëtojë dhe po mbahet nën vëzhgimin e tyre.
“Të dashur miq, kolegë, orkestrantë dhe koristë, gjithë trupës së TKOB si dhe gjithë publikut e artdashëve që më presin këto ditë në Tiranë.
Me keqardhje ju njoftoj se për shkak të një Bronkiti Aku dhe me konsultën e stafit mjekësor në Tokyo, nuk mund të jem mes jush për operan “Die Fledermaus” ku kisha nderin të isha i ftuar.
Më vjen jashtëzakonisht keq që nuk do të mund të këndoj përpara jush dhe kërkoj ndjesë nga zemra duke ju premtuar se së shpejti do të rikthehem te ju me të mira për shfaqjet gjithë trupës së TKOB, kolegëve të mi, mjeshtrave të Korit dhe Orkestrës, Regjisorit Renato Zanella dhe Dirigjentit Lazlo Gyuker.
Suksese, Suksese, Suksese, të gjithëve!
Me respekt,
Saimir Pirgu” shkruhet në deklaratë.
Tenori shqiptar do të ishte i ftuar special në një nga veprat e rralla të zhanrit opera të Johann Straus “Die Fledermaus”(Lakuriqi i natës).
Shfaqja e organizuar në bashkëpunim me ambasadën austriake kishte kohë që reklamohej në faqen zyrtare të Teatrit të Operas dhe Baletit në Facebook duke theksuar emrin e të ftuarit special Saimir Pirgu. Reklama vazhdon të jetë po e njëjta dhe të qëndrojë në krye të faqes zyrtare të Teatrit, ndërkohë që si në postimin e fundit të kësaj faqeje emri i Saimirit nuk përmendet më. Megjithatë ende nuk është njoftuar zyrtarisht mosprania e tij për të gjithë ata që kanë blerë bileta për tenorin.
Postimi i mësipërm i Znj. Çela i shoqëruar me foto nga shfaqja siguron që kjo operetë do të jetë një nga punët më të mira të Teatrit dhe që ia vlen të shihet dhe kështu, ndoshta indirekt duke lënë të kuptojë që edhe ata të cilët mezi prisnin zërin e Pirgut do të kenë një arsye të fortë për të ardhur sërish.
Opereta “Die Fledermaus” nga Johann Strauss do të mbahet në Pallatin e Kongreseve, përgjatë datave 31 mars dhe 1, 2, 3 prill ora 19:00 në kuadër të “Vitit Kulturor Austri- Shqipëri 2018”.