SANREMO 2023/ Artisti Marco Mengoni shpallet fitues – AlpeGossip
SANREMO 2023/ Artisti Marco Mengoni shpallet fitues

SANREMO 2023/ Artisti Marco Mengoni shpallet fitues

Sanremo 2023 u mbyll dhe fituesi i edicionit të 73-të të festivalit të rëndësishëm të muzikës italiane është Marco Mengoni me këngën “Due Vite” (Dy jetë).

Ky ishte dekretimi i fitores pasi 34-vjeçari dukej që në fillim i favorizuar e kryesoi renditjen e përgjithshme që prej fillimit. Pesëshen e më të mirëve e plotësuan Lazza, Mr.Rain, Ultimo e Tananai, me numrin më të lartë të votave. Dukshëm i emocionuar dhe i përlotur, Mengoni tha se fitoren ia kushton të gjitha artisteve që morën pjesë në festival.

Jemi pesë djem që arritëm finalen ndaj mendoj se është e drejtë t’ia kushtoj artisteve që sollën krijime të mrekullueshme në këtë skenë.

Emocione e duatrokitje të gjata në sallë për performancat e legjendave të këngës italiane Gino Paoli e Ornella Vanoni, si edhe për Depeche Mode.

Me Çmimin e Kritikës “Mia Martini” u vlerësua Colapesce Dimartino për “Splash”. Çmimi “Sergio Bardotti” për tekstin më të mirë shkoi për Coma_Cose dhe “L’addio”.

Një mendim edhe për Ukrainën, prej rreth një viti nën pushtimin rus, agresion që ka shkaktuar mijëra viktima e miliona të zhvendosur, krahas shkatërrimeve të mëdha në infrastrukturë. Prezantuesi Amadeus lexoi letrën që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dërgoi pjesëmarrësve. Ndër të tjera shkruante:

Me siguri që Ukraina do ta fitojë këtë luftë. Do ta fitojë bashkë me botën e lirë. Do të fitojë falë zërit të lirisë, të demokracisë e sigurisht, të kulturës. Jam i bindur se një ditë, të gjithë bashkë do të dëgjojmë këngën tonë të fitores.

Ndërkohë, nuk mund të kalonte pa provokime mbrëmja finale e Festivalit të Sanremos 2023 në Italinë fqinje dhe për këtë mendoi Rosa Chemical. Nga skena iu drejtua radhës së parë ku mori Fedezin, dukshëm i sikletosur dhe me të u rikthye në skenë. E përqafoi e më pas i dha një puthje pasionante në buzë.

Ky është festivali i dashurisë dhe më erdhi kështu, papritur.