SANREMO E BËN ZYRTARE/ Alketa Vejsiu do të prezantojë vertëtë festivalin – AlpeGossip
SANREMO E BËN ZYRTARE/ Alketa Vejsiu do të prezantojë vertëtë festivalin

SANREMO E BËN ZYRTARE/ Alketa Vejsiu do të prezantojë vertëtë festivalin

Të martën paradite (14 Janar) drejtori artistik i edicionit të 70-të të Sanremos Amadeus, bëri zyrtare emrat që që do të prezantojnë  festivalin, mes tyre edhe moderatoren.

“Një nga ditët më të bukura të jetës sime” kështu e përshkruan Alketa Vejsiu për Anabel.al,  këtë të martë të 14 Janarit, kur teksa udhëtonte për në Prishtinë, merr njoftimin zyrtar se do të jetë një nga bashkë-prezantueset e Festivalit të Sanremos.

Drejtori artistik i edicionit të 70-të të Sanremos, Amadeus, bëri publikë emrat që do të prezantojnë gjatë konferencës për shtyp në Teatro del Casino të martën paradite. Këtë vit Amadeus ka vendosur të jenë 10 prezantuese, të 10-ta emra të njohur të botës së kinemasë, modës, faqeve rozë dhe spektaklit, si Georgina Rodriguez (partnerja e Christiano Ronaldos), Rula Jebreal, Antonella Clerici, Diletta Leotta, Emma D’Aquino, Laura Chimenti, modelja Francesca Sofia Novello (e fejuara e Valentino Rossit), Sabrina Salerno, Monica Bellucci dhe Alketa Vejsiu.

Për Alketën, Amadeus u shpreh se “është një nga prezantueset më të famshme në Shqipëri dhe pas Italisë, Shqipëria është shikuesja më besnike e Sanremos prej vitesh.”

Disa javë më parë gjatë prezantimit në natën e parë të Festivalit të 58-të të RTSH, Alketa Vejsiu e përmendi pak Sanremon teksa bisedonte me përfaqësuesin Italian në Eurovision, Mahmood. “Një ditë mund të jem aty”, u shpreh ajo dhe shumë njerëz në rrjete sociale e panë me skepticizëm ëndrrën e saj.

“Sanremo ka qënë një ëndërr e imja që e vogël dhe unë kam dy vjet që së bashku me menaxherin tim atje, Lucio Presta (menaxher edhe i Bonolis, Begnini, Perego dhe Belen Rodriguez) po punojmë për hyrjen time në tregun italian” shpjegoi ajo për Anabel.al.

Për ata që kanë kujtesë të fortë, Alketa ka shprehur vazhdimisht jo vetëm dëshirën, por edhe planet e saj për të mbërritur në ekranin Italian. Gjatë takimit me Bonolis – pas blerjes së patentës së “Në kurthin e Peter Pan”, ajo shkruante në Instagramin e saj se “gjëra më të mëdha na presin.” Më pas gjatë tërmetit të 26 Nëntorit, Alketa u ftua në programin e përditshëm “La Vita in Diretta”, në Rai Uno të fliste për tragjedinë.

Me disa deklarata aty, këtu dhe me shumë punë pas kuintave, Alketa ja doli të fusë këmbën në një nga skenat më të rëndësishme të spektaklit italian, duke u bërë kështu shqiptarja e parë që prezanton në këtë festival. Çdo natë do të jenë dy prezantuese dhe Alketa është caktuar të prezantojë natën e tretë së bashku me Georgina Rodriguez.

“Nuk e besoj akoma. Po fluturoj nga gëzimi.”- vazhdon ajo ndërsa nxiton drejt studios së Valdrin Sahitit në Prishtinë.

Dhjetori-Janari 2020-ës  e mbajtën Alketën në qendër të vëmendjes më gjatë se ndonjëherë gjatë 2019-ës, duke nisur nga kritikat e shumta në media (një prej tyre edhe anabel.al) për ndërhyrjet e tepruara me këngë e monologje dhe ndërrimin e shpeshtë të fustaneve, tek deklarata e saj kundër fitores së Arilenës dhe për të vazhduar me deklaratat e nxehta të revistës “Class” – të cilën ajo e administron – kundër motrave Vjollca dhe Xhemi Shehu. Edhe pse ajo nuk preferon të komentojë për deklaratat post-festivalit, Alketa sqaron se e gjithë performanca e saj në Festivalin e 58-të ishte një strategji.

“Unë po luftoja për të hyrë në Sanremo dhe Festivali I RTSH-së ishte një mundësi e mirë prezantimi, pasi ishte një produksion i të njëjtit lloj. Ndaj duke mirëkuptuar kritikat, tani besoj është momenti që të sqaroj se unë u përpoqa të jepja maksimumin tim si prezantuese, show girl dhe po ashtu në paraqitje; në një fare mënyre të kisha sa më shumë material për të mbërritur në ëndrrën time.”

Por pyetja jonë është : “Çfarë rëndësie ka ëndrra personale për publikun shqiptar që nuk shijoi performancat dhe sfilatat e tepërta?”

“Atje unë nuk do të ngjitem thjesht si Alketa Vejsiu, por si e para moderatore shqiptare. Vërtet përpjekjet për të hyrë në tregun ndërkombëtar për këdo, nisin nga një dëshirë personale, por kur ngjitesh në atë skenë historike, merr me vete përgjegjësinë e përfaqësimit më të mirë për vendin tënd. Trofeu im sot është trofe për të gjithë shqiptarët  dhe unë do të përpiqem të flas sa më mirë gjuhën tonë përpara miliona shikuesve italianë.” -përfundon ajo për Anabel.al.

Alketa Vejsiu ka edhe 20 ditë për t’u përgatitur për prezantimin e saj në Festivalin e Sanremos që nis në datën 4 shkurt. Deri atëherë, zhurmat mediatike të krijuara së fundmi do të zbehen dhe ne do të presim me shumë kureshtje të shohim se si i gjithë investimi i saj shumë-vjeçar do të materializohet në atë skenë.