Gjatë koncertit të fundit të këngëtares Dua Lipa ne Shanghai, disa fansa janë larguar me forcë nga personeli i sigurisë. Teksa Dua ishte duke performuar një prej hiteve të saj, punëtorët e sigurisë shkuan drejt disa personave që ndodheshin në rreshtat e parë të koncertit dhe filluan t’i ngrinin nga vendi, madje përdorën dhe forcë ndaj tyre për t’i detyruar të largohen.
Si fillim u mendua se kjo u bë për shkak të mbrojtjes së Duas, por e vërteta duket se është ndryshe. Fansat e tjerë të pranishëm në koncert kanë thënë se në fakt personeli i sigurimit i ka larguar njerëzit sepse ata mbanin disa flamuj të cilët i përkasin komunitetit ‘LGBT’. Në Kinë, shfaqje të tilla përkrahjeje për këtë komunitet konsiderohen të paligjshme. Pas kësaj Dua nuk reagoi fare dhe vazhdoi e qetë koncertin.