Ashtu siç ishte bërë e ditur në javët e kaluara, në “Love Story” pati hyrje të reja. Tri vajza iu bashkuan garës për zemrën e Saimirit. Dy prej tyre vinin nga Italia dhe njëra nga Gjermania. Të treja kanë pasur mundësinë ta ndjekin dhe ta njohin më shumë Saimrin nga ekrani dhe kanë ardhur me një qëllim të qartë, të fitojnë zemrën e tij. Por kush janë tre bukuroshet që iu bashkuan pjesës tjetër të vajzave konkurrente?
Redona Hida, 21 vjeçe, ka lindur në Itali. Është administratore e biznesit familjar. Pasionet e saj më të mëdha janë të lidhura me të bukurën, i pëlqen fotografia, modelingu dhe kërcimi. Ka pozuar për marka të njohura dhe pozon për hostes. Me karakterin do të bëjë për vete Saimirin, pasi mendon se ka karakteristikat që ai kërkon te një vajzë. Faktin që po hyn me vonesë në program mendon se është pozitive për të, pasi tani ka më shumë emocione.
Generda Braçe, 21 vjeçe. Ka lindur në Tiranë, por është larguar nga Shqipëria në moshën 1-vjeçare me familjen e saj. Profesioni i saj është menaxhere projektesh. Është shumë e lidhur me familjen. Karakterizohet nga siguria dhe besimi që ka në vetvete. I pëlqen shumë të merret me sport, shkon rregullisht në fitness, por veçon biçikletën. Motoja e jetës së saj është “Jeta nuk gabon, çdo gjë ndodh për një arsye!”
Valentina Turatti, 22 vjeçe. Ka lindur në Itali. Studion për menaxhim biznesi. Mamanë e ka pasur shqiptare, ndërsa babin e ka italian. Valentina është shumë e lidhur me Shqipërinë. Në moshën 5-vjeçare ka filluar baletin dhe për asnjë moment nuk është shkëputur nga kërcimi. I pëlqen të udhëtojë në shumë vende, pasi do të zbulojë kultura të ndryshme. Është pozitive, e ëmbël dhe shumë spontane. Ka një shpirt të lirë me të cilin do të bëjë për vete Saimirin.