Tipat e profesorëve që i kemi hasur të gjithë në jetë – AlpeGossip
Tipat e profesorëve që i kemi hasur të gjithë në jetë

Tipat e profesorëve që i kemi hasur të gjithë në jetë

Pavarësisht dekadave, qofshit një ish- student shembull i ’80- s apo një i tanishëm i 2018- s (shembullor gjithashtu) ka disa tipa profesorësh, lloji i të cilëve nuk vdes kurrë.

Në çdo universitet, të paktën ka një profesor të tillë:

1. Humoristi në tentativë

Është profesori që se ç’dreqin thotë, flet e qesh po vetë. A po, qeshim dhe ne të tjerët ashtu gjasme, sa herë na qëllon të na ndeshen sytë me të. Ose ka diçka që nuk shkon me ne, ose pedagogu ka batuta të thella, ose ose, duhet ta pranojë me gjithë respektin e madh, që përpos gradave dhe doktoraturave, humor nuk ka hiç fare.

2. Adhuruesi i papagajve

Pasi ke lexuar, ke marrë esencën e gjithçka shkruhej te leksionet shkon kryelartë në seminar për të treguar se po, ti vërtet ke mësuar me logjikë dhe ke kapur thelbin. Ja që gjendesh përballë një lektori që do t’ia recitosh fjalë për fjalë mësimin, mundësisht të mbash frymën në shenjë respekti të çdo presjeje përkatëse në tekst.

3. I pabesi

Nuk ka si të mos ju ketë rastisur dikush që jua bën gjërat shumë të thjeshta, gjithë skema e diagrama, bën shaka me ju, është shumë i afërt, shpirt njeriu me pak fjalë. Kjo derisa në fund gjendesh me tezën e provimit dhe të shembet toka nën këmbë. Ushtrime që si ke parë kurrë dhe ai që s’të jep ndihmën më të vogël. Ku shkuan gjithë fjalët e mira, ku?

4. Rrallë për mall

Ky është profesori që t’i di vetëm kaq për të: ç’lëndë të jep. Nuk e ke parë kurrë, nuk vjen kurrë dhe mbase do të bjerë rasti ato 2 herët e fundit ta shohësh ose më keq akoma, vetëm ditën e provimit, në rast se edhe këtë herë nuk ka sjellë asistenten e tij.

5. Profesori seksi

Na lini ta gjejmë: i ri, i gjatë, zakonisht ndodh të ketë studiuar jashtë (në mos këtë një master në Itali e ka bërë), ka njëkohësisht pamjen e djalit të mirë por ju e ndjeni se diçka intriguese fshihet pas tij. E ndjeni ju dhe gjtihë të tjerat, për aq kohë sa bëheni copash të rrini aty, drejt e në bangën e parë.

6. Nostalgjiku

Këtu kemi dy nënlloje. Ose profesori ka pirë pak dhe pse jo të mos ndajë me ju kohën kur ishte ushtar, ose thjesht e ka në natyrë të kthehet pas në kohë. Devijon nga tema mësimore dhe nis e shkon sa në një histori në tjetrën.

7. I miri

Ky është profesori që e duam shumë dhe na hyn menjëherë në zemër. Nuk ka një përcaktim të saktë për të, mund të jetë i ri ose në moshë, i gjatë apo i shkurtër, i vërtetë apo imagjinar. Dimë që të paktën këtë profesor nuk e shajmë apo përgojojmë aq shumë në kafe me miqtë. Kjo është një mënyrë për të justifikuar gjithë mallkimet për të tjerët. Sepse kur një profesor ka cilësi të mira, ju nuk ia hani hakun.

8. Delja zezë

S’bëhet universiteti pa një të tillë, pa një profesor që është pak nga të gjitha. Ironik, antikonformist, pesimist për brezin e ri që po katandiset si mos më keq, pesimist në kulm për këtë sistem arsimor e qeveritar, për kolegët e tij dhe këdo tjetër që mund të ketë mbi kokë. Ti me këtë e ndan mendjen, do e lësh për vjeshtë!

9. Korrekti

Vjen përherë në orar, ka fletoren e tij ku merr mungesat, mundohet të bëjë ndonjë presion të vogël, por ju tanimë ia keni pirë lëngun. E dini që s’të ngel, e keni dëgjuar këtë nga studentët e tjerë dhe mundësisht në provim del gjithë grupi mirë.