Pas 15 vitesh, Luana Vjollca zgjodhi të largohet nga “Top Channel”, ndërkohë që tregoi se po punonte për të sjellë projekte të reja.
Mesa duket ata do të vijnë më shpejt nga ç’e mendonim pasi së fundmi ajo ka ndarë me ndjekësit disa InstaStory nga Shkupi ku ka treguar se arsyeja e vizitës nuk ishte një pushim, por kishte të bënte me punën.
Moderatorja ka publikuar një foto me artistin Armend Rexhepagiq dhe më tej pamje nga një studio muzikore, ku duket kompozitori dhe producenti Darko Dimitrov.
Në këtë mënyrë, Luana ka treguar se pas një periudhe pauze, po vjen me një këngë të re.
“Mezi po pres ta ndaj me ju, shpresoj që ky projekt t’ju preki mendjen dhe shpirtin njësoj si mua”, ka thënë Luana në rrjetet sociale.
Kujtojmë se më herët moderatorja iu është drejtuar të gjithë fansave duke lajmëruar se programi “Shiko Kush Luan” nuk do të transmetohet këtë sezon në ekran.
“Nuk e paskam dit sa shumë qenkemi dasht?!
Dashni pa kushte, dashni e madhe, dashni e vërtetë, e njëjtë nga të dyja palët: Unë dhe Ju. Ju që më pyesni e më shkruani qindra e mijëra herë gjatë ditës “Kur do të rikthehesh në TV”- e kërkoni këtë me ngulm gati-gati në protestë… ËOË ça ndjesie! Qenka dasht’ me u ndal pak, me pas kohë me përjetu dashninë tuaj, me kuptu sa e fortë dhe e vërtetë qenka kjo dashni, me reflektu tek vetja që vërtetë kam punuar shumë shumë shumë fort për kaq e kaq shumë vite por ia paska vlejt’ barra qeranë. Arritja më e madhe në këtë profesion qenka kur njerëzit t’i marrë malli për ty në ekran – aq shumë sa të merr ty malli për duartrokitjet e tyre! Ndjej për detyrim të ndaj me Ju publiku im, ju që keni qenë pjesë e rrugëtimit tim televiziv, ju që më keni komplimentuar, kritikuar, dashur e urryer… Secili prej jush ka kontribuar në formimin tim artistik. Duke e marrë këtë konfirmim kaq të madh që ju kam në krahë në çdo hap më ka lehtësuar peshën e vendimeve ndoshta edhe pa dëshirën e plotë, por për shkak të rrethanave dhe arsyeve madhore, për të cilat nuk do të doja të flisja, ashtu siç kam zgjedhur përherë…
Nga ky sezon nuk gjendem nën logon e Top Channel (i cili, do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite). Prandaj, si rrjedhojë, këtë sezon të shtunën mbrëma nuk do ta ndajmë bashkë duke luajtur, qeshur e argëtuar me “Shiko Kush LUAN”. Tani, prioriteti im është një projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës. #Thuaje Mirëpo, assesi nuk do t’iu lë në baltë, ashtu siç e di që Ju s’do të më linit kurrë mua. Paralelisht jam duke punuar për të qenë sa më shpejt afër jush me programe argëtuese, çdo të shtunave mbrëma, sepse tradita jonë mund të vonojë por nuk do të mungojë, PREMTOJ”, ka shkruar Luana.