”DASHURIA, NJË MOTIV I MADH PËR TË BËRË PËRPARA”/ Alex Seitaj flet për tentativat për vetëvrasje – AlpeGossip
”DASHURIA, NJË MOTIV I MADH PËR TË BËRË PËRPARA”/ Alex Seitaj flet për tentativat për vetëvrasje

”DASHURIA, NJË MOTIV I MADH PËR TË BËRË PËRPARA”/ Alex Seitaj flet për tentativat për vetëvrasje

Alex Seitaj, i cili fitoi famë fillimisht me skeçet e shkurtra në YouTube dhe më pas përmes një karriere si aktor në televizion a kinematografi, foli dje mbrëma në “ThumbOn” për problemet që ka pasur me shëndetin mendor që nga adoleshenca e deri më tani.

Ai është ndër figurat e pakta që kanë folur me kaq transparencë për çrregullime të tilla dhe tha se zgjodhi ta ndajë me publikun këtë informacion privat sepse kur vuante vetë, gjatë adoleshencës, nuk kishte një shembull nga i cili mund të frymëzohej për të bërë përpara.

Shenjat e para të çrregullimeve mendore, Alex i pati kur ishte në gjimnaz, në Korçë. Ai, si shumë të tjerë, ndihej se nuk përshtatej me mjedisin, se nuk e dinte kush ishte dhe çfarë donte në jetë. Gjithashtu, ngaqë ishte ndryshe nga shokët e klasës, gjendej vazhdimisht në pozitë të vështirë. “Kur sheh që të gjithë gishtat janë nga ti, thua ah, është gabimi im,” nis ai.

“Kam  pasur mendime vetëvrasjeje pafund dhe jo vetëm kaq. Kam arritur në atë pikë sa e kam dëmtuar fizikisht veten me brisqe, gjilpëra. Familja ime dinte një fraksion të vogël të të gjithës, sepse kur unë isha brenda kësaj historie, isha zhytur deri në atë pikë sa nuk hapesha me askënd. Nuk e perceptoja që mund të flisja me familjen dhe gjithçka do bëhej mirë. Zakonisht kjo ndodh, por kur je në atë dhomë të errët mendon që çdo hap drejt shpëtimit është hap i gabuar.

Tentativat për të vrarë veten nuk ishin një formë për të tërhequr vëmendjen sepse askush nuk e ka zbuluar këto lloj episodesh. Janë akte të dëshpëruara që njeriu përdor për të shfryrë për të nxjerrë dufin e vetes. Në momentin që ti pëson një dëmtim fizik, trupi lëshon adrenalinë dhe ti sikur e gëlltit. Ose tjetra, në momentin që flasim çrregullimet mendore – sepse ky është një çrregullim mendor – kanë një gjë të keqe që janë të padukshme. Nuk është si një krah i thyer. Dhe në momentin që shihja një shenjë në trupin tim dhe shërimin e asaj shenje, mendoja, me mendjen e një adoleshenti, se kështu ndodhte edhe me dhimbjen psiqike që unë po kaloja. Nuk kam kërkuar ndihmë se e dija që në atë pikë që isha, askush nuk do të më ndihmonte.”

Ecim përpara disa vite dhe Alex duket i shëndetshëm, i lumtur dhe në paqe me veten. Siç thotë ai, një nga faktorët më të rëndësishëm ishte aktrimi.

“Zbulova aktrimin dhe rashë në dashuri me të. Ishte ekstreme. Thashë e dua këtë gjë dhe nuk ma ndjen fare, le të qeshin njerëzit me mua. Kur nuk gjejmë një arsye të vazhdojmë, bëjmë mirë të gjejmë diçka ose dikë që vërtet e duam. Dashuria është një motivim i madh për të bërë përpara,” rrëfen ai.